Kërkohen rezultate konkrete nga vizitat e krerëve të shtetit jashtë vendit

Vizita e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Gjermani, takimi i kryeministrit të vendit, Albin Kurti me presidentin e Francës Emmanuel Macron si dhe vizita të zyrtarëve të tjerë të shtetit e pjesëmarrja në forume e samite duhet të ketë rezultate më konkrete në arenën ndërkombëtare.

Kështu të paktën vlerëson profesori universitar, Dritëro Arifi i cili është shprehur se duhet të kemi parasysh që duhet të ketë rezultate konkrete nga takimet.

“Deri më tani sa e di vetëm presidentja ka arritur të ketë një rezultat të vogël që do të nënshkruhet një marrëveshje për tregti të lirë me Zvicrën dhe ky është hap i madh pozitiv kurdo të arrihet të bëhet ajo”, u shpreh Arifi.

Ai foli edhe për liberalizimin e vizave, duke thënë se kryeministri Kurti ende nuk e ka arritur atë qëllim.

“Sa i përket çështjes së vizave kryeministri ende nuk e ka arritur atë qëllim, ai duhet të jetë shumë më aktiv, kushtimisht të themi edhe më “agresiv”, që vizat të mos jenë më kushtëzim”, u shpreh Arifi për RTV Dukagjinin.

Në anën tjetër, njohësi i integrimeve evropiane, Demush Shasha i sheh si shumë të rëndësishme Samitet e Forumet ndërkombëtare.

“Është shumë e rëndësishme që Kosova të fuqizojë pozitën e saj ndërkombëtare, qoftë përmes forumeve të ndryshme, takimeve bilaterale, takime multilaterale dhe të tjera”, u shpreh Shasha.

Tutje, Shasha shtoi se, “Shumë e mirëseardhur që Kosova tani mund të shërbej si storje suksesi në kuptimin e ndryshimeve demokratike që kanë ndodhur”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke vazhduar vizitat e saj zyrtare jashtë vendit.

Pas vizitës që kishte në Gjermani, Osmani do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të shtetit, transmeton Telegrafi.

Presidentja gjatë kësaj vizite do të shoqërohet edhe nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Ndryshe, gjatë vizitës së Osmanit në Gjermani, ajo ka potencuar edhe një herë se marrëdhëniet mes dy shteteve janë të shkëlqyeshme.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u bërë pjesë e BE-së, OKB-së, por edhe e shumë organizatave ndërkombëtare. Shpresoj që Gjermania të marrë në konsideratë rolin udhëheqës në mbështetjen tonë për të arritur këtë qëllim”, kishte deklaruar Osmani.

Go to TOP