Kamberi: Vuçiq dëshiron dialog sipas dëshirave të tij

Deputeti shqiptar i Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i është kundërpërgjigjur një deklarate të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit ka deklaruar se nuk shes sens për të dialoguar me kryeministrin Kurti “sepse ai flet vetëm për të shkuarën”.

Kamberi ka thënë se Vuçiq dëshiron dialog në Kosovë dhe për Kosovën vetëm sipas dëshirave të tij

“Duke folur për dialogun në Bruksel, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq paska deklaruar se “Serbia gjithmonë do të marrë pjesë në dialog, kurdo që thirret, por nuk shoh shumë sens për të dialoguar me Kurtin, sepse ai flet vetëm për të shkuarën, dhe jo për të ardhmen””, ka shkruar Kamberi në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.

“Vuçiqi madje paska shtuar se shteti që drejton është gjithmonë i gatshëm për negociata, sepse sipas tij procesi i dialogut është në dobi të serbëve dhe se ‘ndikon në uljen e tensioneve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve’”.

“Meqë qenkeni i tillë z.Vuçiq, pse e keni bllokuar dialogun me të zgjedhurit e Luginës? Ne, të zgjedhurit e Luginës, ju presim me vite në tavolinën e dialogut nga i cili keni ikur z.Vuçiq”.

“Meqë qenkeni për dialog të tillë, le ta rifillojmë dialogun edhe ‘mbi të ardhmen në dobi të uljes së tensioneve midis shqiptarëve dhe serbëve’”, tha ai.

“Pra, me Luginën dhe për Luginën s’doni fare ‘dialog e negociata’ dhe as ‘ndikim në uljen e tensioneve midis serbëve dhe shqiptarëve’. E në anën tjetër dëshironi dialog në Kosovë dhe për Kosovën vetëm sipas dëshirave tuaja”, ka thënë Kamberi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se do t’i përgjigjet çdo ftese për të vazhduar dialogun me përfaqësuesit e Kosovës, por se nuk sheh një kuptim më të thellë në bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se serbët dhe shqiptarët do të jenë dy popujt më të mëdhenj në Ballkan.

Go to TOP