Kaka: Me dikë si Ibrahimoviq në fushë, nuk mund të shpërqendroheni, edhe nëse emri juaj është Van Dijk

Ish-ylli i Milanit, Ricardo Kaka, tha se udhëtimi në “Anfield” do të jetë debutimi perfekt për kuqezinjtë në Ligën e Kampionëve, dhe paralajmëroi mbrojtësin e Liverpoolit, Virgil van Dijk për rëndësinë që ka Zlatan Ibrahimoviq.

Rossonerët kthehen në Ligën e Kampionëve pas tetë vjetësh, por në 121 vjet histori, Milani nuk ka luajtur kurrë në Anfield.

Kaka e di se do të jetë një ndeshje e vështirë për skuadrën italiane, por pret një lojë të ngushtë, pasi Milani mund të ‘konkurrojë me një kundërshtar në nivelin më të lartë’, shkruan footballitalia.

“Do të jetë shumë e vështirë, por ka të gjithë përbërësit për një performancë të shkëlqyeshme. Është e vërtetë që  Ibra së shpejti mbush 40 vjeç, ka shumë talentë të rinj që do të jenë në gjendje të konkurrojnë me një kundërshtar në nivelin më të lartë”, tha Kaka.

Zlatan Ibrahimovic ka bërë një ndryshim të madh në San Siro që nga kthimi i tij në klub, dhe Kaka ka paralajmëruar mbrojtësin e Liverpoolit, Virgil van Dijk.

“Ai ka një ndikim të madh në fushë, ne e pamë atë kundër Lazios”, theksoi Kaka.

“Gol i lehtë, por ai ishte atje. Ai gjithashtu do të ketë një ndikim në Anfield, për shokët e tij të skuadrës dhe mbrojtësit e Liverpoolit”.

“Me dikë si ai, nuk mund të shpërqendroheni, edhe nëse emri juaj është Van Dijk”, përfundoi Kaka.

Milani do të luaj me Liverpoolin të mërkurën, me fillim nga ora 20:45.

Go to TOP