Jetojnë tash e 23 vite në Kosovë, por s’kanë shtetësi

“I paguajë tatime Kosovës, por nuk e kam ende shtetësinë e kësaj të fundit”, kështu shprehen qytetarë nga Lugina e Preshevës, të cilët për më shumë se dy dekada jetojnë në Komunën e Gjilanit.

Merita Bilalli nga Lugina e Preshevës ka rrëfyer për Front Online zhgënjimin me institucionet kosovare.

Ajo së bashku me familjen e saj u shpërngulën në Gjilan në vitin 2000 për një jetë më të mirë e më të lehtë, por Bilalli ka treguar se edhe më tutje nuk është pajisur me shtetësi të Republikës së Kosovës.

“Vazhdimisht kemi pasur probleme me dokumente. Nuk kemi një dokument identifikimi, nuk e kemi as edhe një të vetëm, pavarësisht që jemi qe 22 vite duke jetuar këtu në Gjilan”, ka thënë ajo për Front Online.

“Të vështirë e kemi pas edhe periudhën e shkollimit”, u shpreh Bilalli, duke shtuar se edhe gjatë kohës së studimeve, ajo është njohur si studente që vie nga Lugina.

Merita thotë se shumë qytetarë të Luginës edhe më tutje nuk e kanë zgjidhur as çështjen e banimit në Kosovë, pasi që, sipas saj, shumica prej tyre jetojnë me qira.

Kadriu: E turpshme sjellja e institucioneve të Kosovës me qytetarët e Luginës

Edhe asamblisti në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Kadriu, i cili njëherit është edhe kryetar i Lëvizjes “Vatra, ”thotë për Front Online se është e turpshme se si luginasit edhe 23 vite pas përfundimit të luftës jetojnë në Kosovë, por ende nuk janë pajisur me shtetësi.

“Është e papranueshme dhe e turpshme që edhe pas 23 vite së jetuari në Kosovë, luginasit ende nuk kanë dokumente të identifikimit”, ka theksuar Kadriu.

Por sa është numri i shtetasve të Luginës që kanë ardhur për të jetuar në Gjilan, ai thotë se nuk dihet saktë.

“Numri i saktë i të adhurve nga Lugina për në Gjilan nuk dihet, por besohet se janë vendosur diku rreth 20,000 banorë të cilët kanë ardhur në etapa të ndryshme për të jetuar këtu” ka theksuar Kadriu, teksa shton se integrimi i tyre është i pamundur.

“Integrimi i tyre është i pamundur pasi që pa identitet të konfirmuar nuk mund as të shkollohesh as të punosh e as të udhëtosh. Mospajisja e këtyre banorëve me dokumente është telashja më e madhe që po i përcjellë këta persona tash e njëzetë vjet”, citoi ai.

Kadriu për Front Online ka folur edhe rreth procedurave të regjistrimit të fëmijëve në shkolla.

“Fëmijët kanë telashe të ngjashme sikurse edhe prindërit e tyre. Ata regjistrohen dhe vijojnë shkollimin, por kur u vie koha që ata të pajisen me diplomat e tyre ata nuk munden, sepse nuk kanë dokumente” ka thënë Kadriu.

Asgjë konkrete nga iniciativa e Presidentes për pajisje me shtetësi të qytetarëve të Luginës

Problemet me të cilat është përballur Kushtrim Kadriu për më shumë se 22 vjet po tentohen që të zgjidhen përmes një iniciative të Qeverisë së Kosovës, e cila më 29 dhjetor të vitit 2021  miratoi koncept-dokumentin për shtetësinë. Por, që nga dhjetori i vitit 2021 ende nuk ka asgjë konkrete rreth pajisjes së shqiptarëve të Luginës me shtetësi të Kosovës.

Përndryshe, në këtë koncept-dokument është përfshirë komenti dhe propozimi i Zyrës së Presidentes, i cili do t’ua mundësojë shqiptarëve nga Medvegja, Presheva e Bujanoci të pajisen me shtetësi të Republikës së Kosovës.

Në koncept-dokumentin për shtetësinë në mënyrë specifike përmenden qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna në jug të Serbisë, që njihen me termin Lugina e Preshevës – dhe problemet me të cilat ata përballen në përpjekjet e tyre për t’u pajisur me shtetësi të Kosovës.

“Të gjithë qytetarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët kanë qëndruar në Republikën e Kosovës së paku pesë vjet nga data 12.06.1999 deri me datë 31.12.2021, do të kenë të drejtën e fitimit të shtetësisë bazuar në rregullimin e kornizës ligjore me këtë koncept-dokument, ndërsa sa i përket kritereve procedurale do të rregullohet me akte nënligjore”, thuhet në koncept-dokumentin për shtetësinë i datës 29 dhjetor 2021.

Megjithatë, për të fituar shtetësi çdo qytetar i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit duhet t’i përmbushë një serë kriteresh, siç është dëshmia e qëndrimit në Kosovë prej së paku pesë vjetësh, posedimi i lejes së vlefshme të qëndrimit, pranimi i rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës, posedimi i mjeteve të mjaftueshme financiare për të jetuar në Kosovë, përmbushja e detyrimeve financiare ndaj shtetit si dhe shumë kritere të tjera.

Go to TOP