“Ishim një Kore e Veriut” – Rama nga Gjermania: Për Shqipërinë dielli lind nga Perëndimi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë të mërkurën në panelin “Perspektiva Europiane e Ballkanit Perëndimor”, i cili u zhvillua në Aachen të Gjermanisë.

Gjatë fjalës së tij atje, Rama foli për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, i cili sipas tij është një prioritet për vendin e tij.

Ai tha se populli shqiptar është populli më pro-europian në Europë dhe shtoi se për Shqipërinë dielli lind nga Perëndimi.

“Nuk flas gjermanisht, shumë e vështirë për mua dhe jam mjaft i nderuar që të flas në këtë forum. Po ashtu është kënaqësi që të marrim një moment për të folur për një vend të Europës që pret të bëhet pjesë e BE-së, megjithëse është në qendër të Europës”.

“Ishim një Kore e Veriut në mes të Europës për shumë e shumë vite. Në të njëjtën kohë u bëmë i vetmi vend që pas rënies së komunizmit nuk kishte një parti komuniste dhe ende nuk e kemi një. As parti komuniste dhe as diçka të ngjashme me të. Izolimi ynë tejet i dhimbshëm na bëri që të jemi ai vend që sot të jetë vendi më pro-europian në Europë. Për ne të jesh pjesë e BE është aq thelbësore sa ishte për etërit themelues që nisën të ndërtonin BE-në”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Go to TOP