Gërvalla takon mërgimtarë në Hamilton dhe Otava, flasin për bashkëpunime

Me qëllim të fuqizimit të lidhjeve mes mërgatës dhe Kosovës, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe fuqizimin kulturor të tyre në Kanada, në kuadër të vizitës zyrtare në Kanada, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka mbajtur bashkëbisedime me mërgimtarë në Hamilton dhe Otava të Kanadasë.

Siç njoftojnë nga MPJD, në ministrja Gërvalla mori pjesë në hapjen ekspozitës së piktorit Kosovar, Zeqirja Rexhepi, duke e vlerësuar lartë kontributin e tij dhe diasporës sonë në ngritjen e imazhit tonë në botë. 

Bashkëbisedimet sollën një debat të frytshëm dhe frymëzues për të diskutuar rolin dhe kontributin e mërgimtarëve në zhvillimin dhe përparimin e Kosovës. 

“Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla u shpreh e kënaqur për pjesëmarrjen e gjerë dhe interesin e shfaqur nga komuniteti i mërgimtarëve në Kanada. 

Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e lidhjeve të ngushta me mërgatën dhe nevojën për të forcuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Ministrja  Gërvalla theksoi se mërgimtarët luajnë një rol kyç në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe politik të Kosovës. Ajo inkurajoi mërgimtarët të angazhohen në jetën politike dhe ekonomike të vendit, duke u dhënë rëndësi të veçantë kontributit të tyre në ndërtimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Në fokus ishin edhe iniciativat e qeverisë për të përforcuar lidhjet me mërgatën, si Ligji për Diasporën dhe programi për diplomaci publike “Citizen Diplomacy Fellowship”. 

“Diskutimi u shoqërua edhe me prezentimin e mundësive për pjesëmarrje aktive të mërgimtarëve në jetën politike të Kosovës dhe organizimin e votimeve në Ambasadat dhe Konsullatat në Kanada”, theksohet tutje në komunikatën e MPJD-së.

Në përfundim të bashkëbisedimeve u shfaqën edhe filma si pjesë e javës së Kulturës së Kosovës në Kanada, në 25-vjetorin e pritjes së refugjatëve nga Kosova në Kanada dhe 15-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve. /Kosova.info/

Go to TOP