FC `Vjosa` triumfon në Turnirin Memorial `Ditët e Reçakut`

Në një atmosferë të mbushur me emocion, në Palestrën e Sporteve në Shtime u zhvillua Turniri Memorial “Ditët e Reçakut”, organizuar nga të rinjtë e fshatit Reçak.

Turniri në futboll bashkoi dhjetëra ekipe, duke krijuar një garë të fortë dhe emocionuese. Në finalen e madhe, FC “Vjosa” triumfoi kundër FC “Infra ING”, duke fituar trofeun e turneut përmes një loje të shkëlqyer dhe angazhimi të jashtëzakonshëm.

“Me kënaqësi i kemi përkrahur të rinjtë e fshatit Reçak, të cilët i falënderoj përzemërsisht që e organizuan Turneun Memorial ‘Ditët e Reçakut’ në sportin e futbollit”, tha kryetari Aliu, ku së bashku me Isak Asllanin, i’a dorëzuan trofeun fituesve duke theksuar rëndësinë e përkujtimit dhe krenarinë për ekipin fitues.

Një falënderim i veçantë, kryetari Aliu bëri edhe për delegacionit gjerman, përfaqësuar nga deputetët e Nordrhein-Westfalisë, Hartmut Ganzke dhe Anna Teresa Kavena, të cilët, me kontributin e tyre personal, mbështetën ndarjen e çmimeve për tri ekipet më të mira.

“Vizita e tyre në këtë ditë përkujtimore shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme për popullin tonë dhe për familjet e martirëve të Masakrës së Reçakut”, tha Aliu.

Vendin e dytë në këtë turnir e fitoi FC “Infra ING”, ndërsa vendi i tretë iu nda ekipit Mishtore “Mentori”, të dyja këto ekipe treguan performancë dhe lojë të fortë gjatë gjithë turneut.

Aktiviteti u shndërrua në një moment unik për të përkujtuar të rënët për liri, duke dëshmuar se kujtimi i tyre mbetet i gjallë përmes sportit, artit dhe kulturës.


Go to TOP