Disa të vrarë në një sallë të Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani

Disa persona janë vrarë dhe të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri brenda një objekti të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait në qytetin verior gjerman të Hamburgut të enjten në mbrëmje.

Policia nuk konfirmoi raportet e mediave gjermane, të cilat raportuan për gjashtë ose shtatë të vdekur.

“Ne e dimë vetëm që disa njerëz kanë vdekur; disa njerëz janë plagosur, dhe ata u dërguan në spitale”, tha zëdhënësi i policisë Holger Vehren të qytetit të dytë më të madh të Gjermanisë.

Ai tha se nuk kishte informacione për shkallën e lëndimeve që kanë pësuar plagosurit.

Në një përditësim në Twitter në orët e para të së premtes, policia e Hamburgut tha se besonte se ishte vetëm një sulmues.

Ata bënë të ditur se pasi oficerët arritën dhe gjetën njerëz me plagë të dukshme me armë zjarri në katin e parë, ata dëgjuan një të shtënë në katin e sipërm dhe gjetën një person të plagosur rëndë aty, për të cilin dyshohet se mund të ketë qenë sulmuesi.

Vehren tha se nuk ka asnjë indikacion që sulmuesi të jetë në arrati, dhe se besohet se ai ishte në ndërtesë, ose në mesin e të vdekurve. Policia tha se nuk kishin informacion të menjëhershëm dhe se ngjarja “është ende plotësisht e paqartë”.

Punonjësit e urgjencës dhe policia në vendngjarje, pas të shtënave vdekjeprurëse në Hamburg, Gjermani, 9 mars 2023 .
Punonjësit e urgjencës dhe policia në vendngjarje, pas të shtënave vdekjeprurëse në Hamburg, Gjermani, 9 mars 2023 .

“Hetimi për motivin e krimit po vazhdon”, tha policia.

Zyrtarët e sigurisë së Hamburgut thanë se do të ketë një konferencë shtypi të premten pasdite për të diskutuar detajet. Zëdhënësi tha se policia u njoftua për të shtënat rreth orës 21:15 të enjten, dhe kanë dalë me shpejtësi në vendngjarje.

Kryetari i Bashkisë së Hamburgut, Peter Tschentscher, shkroi në Twitter se lajmi ishte “tronditës” dhe shprehi ngushëllimet e tij për të afërmit e viktimave.

Dëshmitarët e Jehovait janë pjesë e një kishe ndërkombëtare, e themeluar në Shtetet e Bashkuara në shekullin e 19-të dhe me seli në Uaruik të Nju Jorkut. Kisha pretendon se ka një anëtarësim prej rreth 8.7 milionë besimtarëve në mbarë botën, me rreth 170,000 në Gjermani.

Anëtarët janë të njohur për përpjekjet e tyre për të shpërndarë besimin e tyre përmes trokitjeve në dyer dhe shpërndarjes së literaturës në sheshet publike.

Praktikat e veçanta të këtij besimi përfshijnë refuzimin për të mbajtur armë, për të marrë transfuzion gjaku, për t’iu përulur flamujve kombëtarë ose për të marrë pjesë në qeverisjet laike.

Go to TOP