BVG prezanton teknologjinë CLT në podcastin e Edi Ramës, Kryeministri: “Super, unë jam në dispozicion. BVG quhet kompania”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në episodin e 22-të të sezonit të gjashtë të podcastit të tij, priti disa sipërmarrës të kthyer nga diaspora që po investojnë në Shqipëri.
Ndër të ftuarit ishte edhe arkitekti dhe afaristi Lulzim Behxheti, themelues i BVG Housing në Finlandë dhe BVG AL në Shqipëri, i cili pas më shumë se 35 vitesh përvojë në ndërtimet moderne me teknologjinë Cross Laminated Timber (CLT), ka vendosur të investojë në Shqipëri.
Gjatë bisedës, Kryeministri Rama e prezantoi Behxhetin si një shembull të suksesit të diasporës shqiptare që po rikthehet për të investuar në vend.
“Lulzimi është nga Kosova, ka emigruar në Finlandë dhe tani është vendosur në Vlorë. Jo sepse në Finlandë nuk kishte punë, por sepse nga Finlanda ka sjellë një eksperiencë të shkëlqyer të industrisë finlandeze dhe po promovon projekte që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm”, u shpreh Rama.
Në podcast, Behxheti prezantoi rrugëtimin e tij profesional, projektet e realizuara në Finlandë dhe teknologjinë inovative CLT, e cila konsiderohet një nga zgjidhjet më moderne dhe ekologjike në industrinë e ndërtimit.
Ai foli gjithashtu për suksesin ndërkombëtar të BVG Housing në panairet më të mëdha të ndërtimit në Skandinavi, ku kompania është vlerësuar për inovacionin dhe konceptet moderne të banimit modular.
“Në shtëpitë tona nuk përdorim beton. Pjesa më e madhe e punës realizohet në fabrikë dhe montimi në terren kryhet për vetëm pak ditë”, theksoi Behxheti.
Behxheti bëri të ditur se objektivi afatgjatë i kompanisë është ngritja e një fabrike për prodhimin e elementeve CLT në Shqipëri, duke krijuar vende të reja pune dhe duke zhvilluar produkte me standarde ndërkombëtare “Made in Albania”.
Në përfundim të bisedës, Kryeministri Rama shprehu gatishmërinë e tij për të mbështetur iniciativa që sjellin inovacion dhe investime të qëndrueshme në Shqipëri. “Super, unë jam në dispozicion. BVG quhet kompania”, tha Kryeministri Rama.
Për të ndjekur të plotë bisedën ndërmjet Kryeministrit Edi Rama dhe Lulzim Behxhetit, klikoni në linkun e mëposhtëm:
