Anton Quni, kandidat i LDK-së për kryetar të Prizrenit

Lidhja Demokratike Kosovës e ka zgjedhur Antoni Qunin si kandidat për kryetar në Prizren.

Këtë e ka bërë të ditur Lumir Abdixhiku, kryetari i LDK-së me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, duke shtuar se Quni është i fortë si guri.

“Luftëtar një herë, luftëtar gjithherë. Prandaj dhe sfidën e fundit e ka kapërcyer siç di vet. Antonin e njoh nga ditët e para në LDK. Një mik i jashtëzakonshëm, një udhëheqës i dalluar, një patriot i vërtetë – bashkëudhëtimi me të gjithmonë ka qenë nder. Sonte, isha me të në Prizren. Takuam struktura e qytetarë, veprimtarë e profesionistë në qytetin e njerëzve të mirë e punëtorë, të ndershëm e dallueshëm, në qytetin e diversitetit, kulturës e përparimit, në qytetin e Lidhjes”.

“Anton Quni, 54 vjeçar, ushtarak me profesion, bashkëshort i Mirianës, baba i Kristianës, Mikelit, Markut e Dritonit – deputet i Kuvendit të Kosovës, ish-Ministër i Mbrojtjes, Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – do të jetë kandidat i yni për Komunën e Prizrenit”.

“Jam i bindur që, siç i është qasur secilit ballafaqim për një jetë të tërë, do t’i jep dhe Prizrenit gjithçka që një qytet kaq i bukur meriton. Lidhja jonë i ka dyert e hapura për secilin që ndjekë vizionin tonë. Nderojmë të shkuarën, ndërtojmë të ardhmen. Po dëgjojmë, po hapemi, po rikthehemi. Anton, na priftë e mbara!”, ka shkruar Abdixhiku.

Go to TOP