Analizë e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian: Qendra mban pushtetin

Pavarësisht nga të gjitha raportimet për rritjen e së djathtës populiste, mësimi kryesor nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian është se tri grupet më të mëdha politike mbeten të pandryshuara.

Pasi qytetarët e Bashkimit Evropian shkuan për të votuar në 27 vendet anëtare mes 6 dhe 9 qershorit, grupi i Partisë Popullore Evropiane (EPP) i qendrës së djathtë, doli i pari — siç kanë bërë në çdo zgjedhje parlamentare evropiane që nga viti 1999 – me një parashikim prej 184 ligjvënësve për dhomën me 720 ulëse.

Bazuar në rezultatet paraprake, Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) doli e dyta me 139 anëtarë të parashikuar të Parlamentit Evropian (PE). Partia Renew [qendër liberale] doli e treta dhe parashihet të ketë 80 deputetë.

Së bashku, këto tri parti udhëheqëse tani kanë shumicën prej 403 deputetësh nga 417 sa i kishin më herët në dhomën e ulët të Parlamentit me 705 ulëse.

Në garë janë 15 ulëse më shumë në këto zgjedhje që mbahen çdo pesë vjet, duke shpërndarë disa, por jo të gjitha vendet e lira që kur Mbretëria e Bashkuar doli nga Bashkimi Evropian.

EPP-ja ishte në fakt i vetmi grup politik i madh që fitoi popullaritet. Të gjithë të tjerët humbën mbështetjen në krahasim me zgjedhjet e mëparshme të vitit 2019.

E djathta populiste fiton, por a janë ata fitues?

E djathta populiste sigurisht që ka fituar. Grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR) – që përfshin partinë e Giorgia Melonit, Vëllezërit e Italisë; partisë polake Ligji dhe Drejtësia (PiS), Demokratëve Suedezë dhe partisë spanjolle Vox – fitoi 73 ulëse.

Në Itali, kryeministrja Giorgia Meloni do të vazhdojë udhëheqjen e politikave të vendit, pasi partia e saj e ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë, mundi Partinë Demokratike të qendrës së majtë.
Në Itali, kryeministrja Giorgia Meloni do të vazhdojë udhëheqjen e politikave të vendit, pasi partia e saj e ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë, mundi Partinë Demokratike të qendrës së majtë.

Në disa shtete anëtare individuale, populistët dolën veçanërisht mirë. Partia Fronti Kombëtar i Le Penit triumfoi në Francë, duke përfunduar me mbi 15 pikë përqindjeje para koalicionit të partive centriste/liberale të presidentit francez Emmanuel Macron. Partia e Lirisë në Austri, gjithashtu, kryesoi sondazhet në këtë shtet.

Grupi politik edhe më në të djathtë, Identiteti dhe Demokracia (ID) e Marine Le Pen dhe Partia Austriake e Lirisë (FPO), do të ishte rritur po ashtu nëse nuk do të ishte për faktin që ata kishin përjashtuar Alternativën për Gjermaninë (AFD) disa javë më parë pasi një anëtar drejtues i partisë gjermane të ekstremit të djathtë kishte minimizuar rolin e ‘SS-it’ gjatë periudhës naziste.

Megjithatë, këtu qëndron çështja: Të kombinuar, Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR) dhe Identiteti dhe Demokracia (ID) do të kenë rreth 130 deputetë, që është rreth asaj që kishin më 2019.

Ekziston gjithmonë mundësia që të dyja grupet të mund të bashkohen, duke formuar një grup më të fortë të djathtë populist që potencialisht do të ishte i dyti më i madhi në dhomë dhe t’u japë atyre mundësinë të marrin disa pozita si kryetarë komisionesh të rëndësishme dhe pozicione raportuese.

Siç shihet me largimin e AFD-së nga grupi i ID-së, bashkëpunimi nuk është gjithmonë i lehtë. Partitë që përbëjnë të djathtën populiste sigurisht pajtohen se Brukseli ka shumë pushtet, por këtu mbarojnë ngjashmëritë.

Për shembull, ECR-ja tenton të jetë shumë e ashpër ndaj Rusisë, e udhëhequr veçanërisht nga partia polake Ligji dhe Drejtësia (PIS), por edhe çuditërisht Giorgia Meloni, e cila ka qenë duke u kthyer drejt qendrës, duke çuar në spekulime se ajo dëshiron të bashkohet me EPP-në. Nga ana tjetër, grupi i ID-së është haptazi pro-rus dhe nuk njihet të jetë e prirë për kompromis në Parlamentin Evropian.

ECR-ja shpesh do të votojë njëjtë me grupet kryesore, veçanërisht për çështjet e politikës së jashtme.

E panjohura e madhe

Befasi mund të jenë rreth 100 anëtarët e pavarur në Parlamentin e ri Evropian, të cilët nuk i përkasin një grupi politik — të paktën ende.

Në fakt, sa i përket suksesit të zgjedhjeve, eurodeputetët e pavarur panë rritjen më të madhe, duke fituar 36 vende për të marrë 98 mandate. Shumë nga këta anëtarë të pavarur do të mirëprisnin bashkimin me një grup pasi rrit ndjeshëm ndikimin e tyre.

Atëherë, pyetja është se cilat grupe, nëse ndonjëra prej tyre — janë të gatshme të marrin deputetët e pavarur ose ndonjë grup i ri i këtyre mund të formohet?!

Për të formuar një grup zyrtar parlamentar në Parlamentin Evropian nevojiten minimumi prej 23 deputetësh nga të paktën shtatë vende të BE-së.

Anëtarët kanë kohë deri më 16 korrik për të negociuar përbërjen e grupeve politike, kur Parlamenti i ri Evropian mblidhet për seancën e tij inauguruese legjislative në Strasburg.

Përtej Brukselit

Emmanuel Macron nuk ka kaluar një natë të mirë. Dëshpërimi i tij nga duart e Le Penit tashmë e ka shtyrë atë të thërrasë zgjedhje të parakohshme parlamentare me rundin e parë që pritet të zhvillohet në fund të qershorit.

Rezultati ishte një siklet për presidentin francez, me të djathtën ekstreme që fitoi në çdo rajon të vendit.

Udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.
Udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Megjithatë, ka disa faktorë lehtësues. Së pari, kjo nuk është aspak një surprizë. Sondazhet e kanë parashikuar prej muajsh një rezultat të tillë.

Nuk është e pazakontë që zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat kanë pjesëmarrje më të ulët se zgjedhjet kombëtare, përdoren për t’i ndëshkuar ata që janë në pushtet. Macron është në pushtet që nga viti 2017, kështu që dobësimi është i kuptueshëm.

Nën presion është edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Partia kryesore e opozitës, Unioni Kristian Demokrat i Gjermanisë/Bashkimi Kristian Social në Bavari, mori 31 për qind të votave, dy herë më shumë se Partia Social Demokratike e Gjermanisë (SPD) e Scholzit. Ndërsa votat po numëroheshin, partia e Scholzit ishte në garë të fortë me AFD-në për vendin e dytë.

Çfarë ndikimi do të ketë Parlamenti i ri?

Ka të ngjarë që animi djathtas do të ketë ndikim në disa fusha të politikës në vazhdim. Për shembull, Parlamenti Evropian mund të bëhet më pak ambicioz për çështjet mjedisore dhe më i rreptë në çështjet e migracionit.

Vlen të kihet parasysh se Parlamenti Evropian është i ndryshëm nga parlamentet kombëtare në atë që eurodeputetët nuk propozojnë vetë ligje. Në BE, është dega ekzekutive, Komisioni Evropian, që ka të drejtën e iniciativës dhe fillon hartimin fillestar të një ligji të ri potencial.

Këshilli Evropian, i cili përbëhet nga krerët e shteteve ose qeverive të BE-së, është gjithashtu i përfshirë në ndryshimin e ligjeve të propozuara.

Për sa i përket ligjbërjes, Parlamenti Evropian është më i dobëti nga këto tri institucione, duke marrë shumë rrallë atë që dëshiron. Pazari për ligjet ndërmjet Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit në të ashtuquajturat ‘trialogje’ mund të zgjasë me muaj apo edhe vite përpara se diçka të miratohet realisht dhe të bëhet ligj.

Sa i përket politikës së jashtme, nuk pritet që Parlamenti Evropian i sapozgjedhur të ndryshojë shumë.

Mbështetja për Ukrainën dhe zgjerimi i mëtejshëm i BE-së do të jenë ende qëndrimet e shumicës. Ndërkohë që mund të ketë eurodeputetë që mbajnë pozicione pro-Kremlinit, ata kanë më shumë gjasa ta përdorin dhomën si një platformë për t’i përsëritur këto qëndrime në vend se të bëjnë punë të rëndësishme legjislative.

Përveç kësaj, Parlamenti Evropian nuk e dikton politikën e jashtme të BE-së. Ky është domeni ekskluziv i shteteve anëtare të BE-së. Pra, ndërsa eurodeputetët konsiderojnë dhe shkruajnë shumë raporte dhe rezoluta të politikës së jashtme, të gjitha këto janë jodetyruese.

Çfarë ndodh tani?

Një fitues i kujdesshëm është presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Si kandidatja kryesore për grupin kryesor të EPP-së, ajo tani pritet të marrë edhe pesë vjet të tjera në krye të krahut ekzekutiv të BE-së.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Edhe pse ajo ishte triumfuese atë natë, Von der Leyen ka ende nevojë për liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së dhe një shumicë të thjeshtë në Parlamentin Evropian për të siguruar nominimin e saj.

Udhëheqësit e shteteve anëtare do të mblidhen në Bruksel më 17 qershor për të pasur një diskutim fillestar rreth tri posteve kryesore të BE-së: presidenti i Komisionit Evropian, presidenti i Këshillit Evropian dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së. Më pas ata do të takohen sërish në Bruksel më 27-28 qershor për t’i finalizuar kandidatët. /Radio Evropa e Lirë/

Go to TOP