Akademiku Qosja mbush 88 vjet, Kurti: Vigan në fjalë e në pendë!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vizituar sot në shtëpinë e tij akademikun e shkrimtarin e madh Rexhep Qosja. Siç ka njoftuar Kurti, kjo vizitë u bë me rastin e ditëlindjes së 88-të të Qosjes.

“Rexhep Qosja, 88 vjet të plota të jetuara e të shkrira në qenien prej vigani në fjalë e në pendë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar se kontributi i tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare janë të pashoqe, duke e bërë atë një figurë të dashur në Kosovë dhe më gjerë.

“Nga fillimet e tij të hershme në Vuthaj deri te rolet e tij të rëndësishme në edukim dhe letërsi, udhëtimi i tij ka qenë një burim frymëzimi. Si shkrimtari i parë postmodern shqiptar dhe një kritik letrar i shquar, puna e tij ka pasuruar trashëgiminë tonë kulturore. Jemi thellësisht mirënjohës për përkushtimin e tij të pandërprerë dhe i urojmë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë!”, ka shkruar tutje Kurti. /Kosova.info/

Go to TOP