A duhet shkarkuar ambasadori Berishaj? Flet ish-zëvendësministri i Jashtëm

Ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Anton Berisha, ka thënë se diplomacia s’duhet të jetë e nxiruar në vendime dhe se duhet ta ruajë gjakftohtësinë edhe në rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili u përfol në mediat sllovene se është përfshirë në një skandal diplomatik në Slloveni.

“Është në natyrë, diplomacia është gjakftohtë dhe kjo çështje nuk zgjidhet me eufori të një mediumi, pavarësisht pretendimit. Është fjala për një kontekst politik në një shtet tjetër, në një garë politike dhe vetë ambasadori ka paralajmëruar një proces gjyqësor ndaj akuzave që janë bërë ndaj tij. Çka nëse nuk dalin të vërteta, nëse marrim një vendim të menjëhershëm? Në këtë kuptim ka kufizime rreth marrjes së vendimit, por në anën tjetër nëse faktet ose nëse institucionet sllovene dhe ato kosovare do të bashkëpunojnë për të ardhur deri te e vërteta dhe kur të ketë më shumë fakte, natyrisht duhet të merret një vendim”.

Berisha, i cili shërbeu si zëvendësministër nga AAK-ja, tha se është i kuptueshëm qëndrimi i presidentes Osmani rreth këtij rasti, sepse ishte ajo që para disa muajsh ia dha edhe shtetësinë edhe e dekretoi si ambasador.

“Nuk mund të del kundër vendimeve të saj dhe sigurisht është në pritje të më shumë informatave për të pasë një pasqyrë të qartë. Po flas në kuptimin objektiv, nëse ajo ka diçka subjektive është çështje tjetër”.

Berisha tha se e njeh ambasadorin Berishaj edhe në rrafshin personal, të cilin e lavdëroi për aktivitetin e tij gjatë kohës kur ka jetuar në Slloveni.  

“Aktivist i devotshëm i çështjes kombëtare, është një njeri i arsimuar dhe kulturuar, një person me autoritet në carqet politike dhe kulturore të Sllovenisë. Berishaj është person i kompletuar, problemi është në parim. MPJ dhe Qeveria është orientuar në emërimin e njerëzve me më shumë shtetësi”.

Go to TOP