Qytetarët: Çmimet e dyqaneve janë të papërballueshme për festat e fundvitit

Qytetarët ua kanë mësyrë të premten dyqaneve, për t’u furnizuar me ushqime të ndryshme me rastin e ndërrimit të moteve.

Por, bashkë me blerjet ishin edhe ankesat. Çmimet e larta janë të papërballueshme thonë qytetarët, e nga Oda Ekonomike e Kosovës thonë se këto çmime janë si pasojë e importit, pasi Kosova të gjitha i importon.

Qytetarët të cilët kishin dalë të furnizoheshin me produkte ushqimore, ankoheshin për çmime të larta duke i cilësuar të papërballueshme.

“Çmimet janë shumë më të larta se vjet që kanë qenë, por pa i marrë këto janë gjëra të përditshme që i marrim ushqimore” , tha Halil Kadriu, blerës.

“Nuk është hiç e përballueshme, shumë janë rrit çmimet”, tha blerësi Rasim Sahiti. “Me probleme boll, rroga të lira, shtrenjtim çka të bëjmë “, tha një tjetër qytetar.

Aktivisti i të drejtave të konsumatorit, Selatin Kaçaniku, thotë se merr ankesa nga konsumatorët për shtrenjtimin e produkteve ushqimore, që përgjegjëse për këtë shtrenjtim e bën Qeverinë e Kosovës.

“E drejta për ankesa është mashtrim, nëse Qeveria paraprakisht nuk e mbush mandatin për të na informuar, edukuar, arsimuar për të na vetëdijesuar ”, tha Selatin Kaçaniku, aktivist.

Go to TOP