Nga fillimi i luftës, rreth 300 mijë ukrainas të paisur me pasaporta ruse
Rreth 300 mijë ukrainas janë pajisur me pasaporta ruse prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, sipas medias së pavarur ruse, Mediazona.
Rreth 70 mijë – 80 mijë personave u është dhënë shtetësia ruse vetëm në muajin tetor, sipas mediumit, i cili konsiderohet si kritik i Kremlinit.
Mediazona ka thënë se raportimin e ka bazuar në të dhënat e Ministrisë së Brendshme në Moskë.
Shumica e aplikuesve kanë marrë pasaportë në rajonin rus Rostov-on-Don dhe në Gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar më 2014, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Vala e aplikimeve është rezultat i faktit se qytetarëve u janë hequr të drejtat bazike nëse nuk kanë pasur pasaporta të Rusisë në territoret e pushtuara nga forcat ruse, ka raportuar Mediazona.
“Ata shpesh nuk marrin trajtim shëndetësor apo mbështetje sociale pa pasaportë ruse”, është thënë në raportim, transmeton dpa.
