Si nuk e dëgjoi Kurti këshilltarin e Blinkenit dhe e obligoi këtë të fundit të reagojë për targat?
Gjatë ditës së sotme, Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim të ri për targat ilegale që po qarkullojnë në Kosovë, duke e shtyrë afatin deri në prill të vitit të ardhshëm.
Por, Departamenti Amerikan i Shtetit, kishte kërkuar që një veprim i tillë i qeverisë të mos bëhej, por që vendimi për targa të shtyhet pa konfiskim e pa gjoba.
Kështu ka deklaruar Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit të Shtetit, i cili përmes një postimi në Twitter, ndër tjerash ka njoftuar se ai ka biseduar me Kurtin edhe për rëndësinë e shmangies së tensioneve.
“Bisedova sot me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja të targave, pa konfiskim apo gjoba. Gjithashtu diskutuam për partneritetin tonë dhe synimet e përbashkëta për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, ka deklaruar Chollet.
Përndryshe, pak pas vendimit të ri të qeverisë për targat, nëpërmjet një komunikate nga Departamenti amerikan i Shtetit nëpërmjet një komunikate, është deklaruar se SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e bëra nga partnerët ndërkombëtarë.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, thuhet në komunikatën e DASH-it.
Lidhur me këtë çështje, Lajmi.net ka kërkuar sqarim nga Departamenti amerikan i Shtetit përmes e-mailit, por që ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Vendimi që ka marrë Qeveria është me tri faza, ku në fazën e parë që pritet të zgjasë nga 21 nëntori deri më 21 janar, do të jetë qortuese. Ndërkaq, nga 21 janari deri më 21 prill qytetarët serbë që nuk konvertojnë targat do të gjobiten me nga 150 euro. Që nga 21 prilli, synohen të largohen totalisht targat ilegale dhe të qarkullojnë vetëm veturat me targat RKS.


