Osmani pas takimit me Escobar: SHBA-të nuk kanë aleat më të madh se shtetin e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të kenë aleat më të madh sesa Kosova. Ajo këtë deklarim e bëri mëngjesin e së mërkurës, pas takimit me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Gabriel Escobar, njëherësh edhe emisar për Ballkanin Perëndimor.
Ajo këtë deklarim e bëri në një konferencë për media pas takimit që pati me Escobar, teksa theksoi se ka marrë mbështetje nga ana e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.
“Sa më shumë angazhim nga SHBA-ja, aq më të mira rezultatet në paqe dhe stabilitet në rajon. Për ne është jashtëzakonisht është e rëndësishme mbështetja e rrugës euro-atlantike e Kosovës nga SHBA”, deklaroi Osmani. “SHBA nuk kanë aleat më të madh se shteti i Kosovës”.
Në anën tjetër, e para e vendit deklaroi se në takim ia bëri me dije të dërguarit të posaçëm amerikan se Kosova vazhdon të jetë pala konstruktive, derisa shtoi se shfaqi pakënaqësi për mos-nënshkrimin e marrëveshjeve të arritura nga ana e Serbisë.
“Sot diskutuam nevojën për të ecur përpara në dialog. Kosova është pala konstruktive dhe është e gatshme ta rrisë edhe më shumë angazhimin dhe gatishmërinë e saj në mënyrë që të intensifikohet procesi i dialogut. Shfrytëzova rastin për ta shprehur pakënaqësinë e mos-nënshkrimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë dhe udhëheqjen nga strukturat kriminale të serbëve të Kosovës nga të sanksionuarit e SHBA-së”, deklaroi ndër të tjera ajo.
Gjithashtu, Osmani përmendi edhe bashkërendimin e politikës së jashtme të Kosovës me SHBA-të dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë në mbështetje të Ukrainës dhe sanksionimit të Rusisë.
Në takim, përveç tjerash, presidentja bëri të ditur se u diskutua për një komunikim strategjik mes dy vendeve për zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve.
