OSBE konfirmon lajmet: Një anëtar i joni në Prishtinë u arrestua të premten në Beograd

Një pjesëtar i stafit të OSBE-së në Prishtinë është arrestuar të premten që lëmë pas në Beograd.
Këtë tashmë e kanë konfirmuar edhe misioni i OSBE-së në Kosovë, të cilët përmes një postimi në Facebook kanë bërë të ditur se janë në kontakt me policinë për këtë çështje.

“Misioni është në dijeni të raportimeve të mediave në lidhje me arrestimet të premten nga policia në Beograd. Misioni mund të konfirmojë se njëri nga të arrestuarit është një anëtar lokal i stafit mbështetës të Misionit. Nuk janë të sakta raportimet se nga të arrestuarit është përdorur një automjet i Misionit. Jemi në kontakt me policinë për këtë çështje, por nuk mund të komentojmë më tej në këtë moment pasi që është një çështje ligjore me një hetim në vijim”, thuhet në njoftimin e misionit të OSBE-së.

Kujtojmë se të premten Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur se në një aksion të policisë serbe janë sekuestruar 50 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis, që ishte nisur nga Shqipëria, kishte kaluar nga Kosova për të përfunduar në Serbi.

Sipas njoftimit, pesë të dyshuarit e arrestuar që ishin duke bartur drogën, ishin duke udhëtuar në një automjet udhëtarësh me shenja të misionit të OSBE-së.

Të dyshuarve i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë.

Go to TOP