Flet avokati i Vasiljeviqit nga Shtërpca, Neziri: Ka bërë shaka përmes rrjetit social, arrestimi i tij është hakmarrje politike

I riu nga Shtërpca, Danijel Vasiljeviq është arrestuar të hënën nën akuzën se ka kërcënuar dhe ngacmuar kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq dhe vajzën e tij. 

Por avokati i Vasiljeviqit, Mentor Neziri në një prononcim tha se akuza ndaj tij, nuk ka të bëjë aspak me kërcënim apo ngacmim.

Ai tha se ka qenë një fjali në rrjetin social ku është përdorur nga ana e klientit të tij, një satirë apo një shaka që ia ka bërë kryetarit Dalibor Jevtiq.

Sipas tij, Vasiljeviq, të martën ka dhënë një deklaratë në polici në prezencën e tij, dhe se nuk ka të bëjë aspak me ndonjë vepër penale, por siç tha ai këto janë fërkime dhe hakmarrje politike.

“Është arrestuar pasi dyshohet se e ka ngacmuar dhe kërcënuar kryetarin e Shtërpcës dhe vajzën e tij. Dje ka dhënë deklaratë në polici në prezencën time dhe për ato rrethana që është arrestu nuk ka të bëjë absolut me vepër penale. Më shumë këto janë fërkime dhe hakmarrje politike se sa që ka të bëjë me ndonjë vepër penale që e ka kryer ndaj kryetarit të Shtërpcës. Jo këta familjarisht asnjëherë s’kanë pas probleme, por këto janë probleme politike”, ka thënë Neziri.

Avokati Neziri po ashtu tha se ende nuk janë informuar për orën se kur do të mbahet seanca gjyqësore.

Por ai tha se ende nuk e dinë nëse Prokuroria do të kërkojë caktim të paraburgimit për klientin e tij, por siç tha ai sipas të gjitha gjasave do të ketë pasi ka presione politike.

Go to TOP