Takimi me Escobar dhe Lajçak, Osmani: Kosova është palë konstruktive në procesin e dialogut

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, është deklaruar pas takimit me të dërguarit e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, dhe të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, duke thënë se Kosova është palë konstruktive dhe e angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë.

Kështu ka deklaruar Osmani përmes një postimi në Facebook, ku ka shtuar Kosova asnjëherë nuk ka kontribuar në tensione dhe është angazhuar vazhdimisht për paqe.

Po ashtu presidentja ka njoftuar se të dërguarve të SHBA-së dhe BE-së, u ka shprehur përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerë.

Postimi i plotë:

Kosova është palë konstruktive, e përgatitur dhe e angazhuar në procesin e dialogut të përqëndruar në njohjen e ndërsjellë.

Në takimin me të dërguarit e posaçëm Lajčák dhe Escobar shpreha përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët tanë, duke potencuar se angazhimi i vendit tonë në dialog është i bazuar në mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Kosovës, të cilat janë të paprekshme.

Kosova asnjëherë nuk ka kontribuar në tensione dhe është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet si dhe për zgjidhje evropiane. Vendi ynë është i ndërtuar mbi parimin e një shoqërie multietnike ku të gjithë kanë të drejta të barabarta, pa dallim etnie. 

Go to TOP