Stoltenberg pas takimit me Vuçiqin dhe Kurtin: KFOR-i i gatshëm të intervenojë nëse rrezikohet siguria

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimeve të ndara që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Stoltenberg ka thënë se situata në terren është përmirësuar, ndonëse misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit.

I pyetur se çfarë nënkupton paralajmërimi për intervenim të NATO-s, Stoltenberg ka thënë se KFOR-i është në kontakt të ngushtë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë.

“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”.

Stoltenberg ka thënë se fakti që KFOR-i është misioni më i madh ushtarak i NATO-s jashtë aleancës – me rreth 4.000 trupa – flet për përkushtimin e saj në parandalim të tensioneve.

Shefi i NATO-s ka thënë se neutraliteti i KFOR-it është i rëndësishëm dhe se “Kosova ka mundësi të demonstrojë se është aktore e përgjegjshme brenda komunitetit euroatlantik”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë arsye të jenë vigjilentë këto ditë për shkak “të qasjes destruktive të fqinjit tonë verior ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi”.

I pyetur nëse ka mundësi të zmbrapset nga hapi për të zbatuar vendimin për targat dhe dokumentet serbe, Kurti ka thënë se implementimi përbën veprim legal.

“Po zbatojmë diçka që është legale sipas ligjit dhe kushtetutës sonë, dhe diçka për të cilën është zotuar Serbia në dialogun e Brukselit. Nuk shohim rrugë tjetër dhe besoj se është në të mirën tonë të bëjmë legjitime gjërat në shtetin tonë”.

Kurti është pyetur edhe nëse e pranon deklaratën se të dyja palët janë përgjegjëse për përshkallëzim të tensioneve.

“Në njërën anën kemi policinë e shtetit demokratik të Kosovës, dhe në anën tjetër kemi struktura ilegale serbe që janë kthyer në banda kriminale”.

Përgjatë konferencës për media, Kurti ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Go to TOP