Kurti akuzon Serbinë për shtyerjen e takimit me Vuçiqin: Po shkaktojnë vonesa të paarsyeshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për takimin e mundshëm të tij me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Nga SHBA-të, për Zërin e Amerikës Kurti ka thënë se ai është i gatshëm që të udhëtoj në Bruksel për takimin e radhës, i cili sipas tij duhet të jetë i përgatitur mirë për çështjet mes Kosovës e Serbisë.

“Unë jam gjithmonë i gatshëm që të udhëtoj në Bruksel për takimin e radhës të përgatitur mirë për çështje bilaterale dhe një takim i tillë ka pasur plan që të mbahet me datën 19 korrik, mirëpo nuk u mbajt për shkak se Beogradi zyrtar e refuzoi atë dhe kërkoi një shtyrje mbi një mujore. Pra dikur thoshin se duhet të presin meqenëse nuk i kanë mbajtur zgjedhjet, e tash ndonëse po bëhen gati katër muaj që i kanë mbajtur zgjedhjet, sërish shkaktojnë vonesa të paarsyeshme, që kanë të bëjnë thjesht me faktin se përkundër kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ata nuk dëshirojnë që të distancohen nga presidenti despotik Putin, nga Kremlini zyrtar dhe lufta që e shkaktoi kundër Ukrainës”, tha Kurti.

Ai tha se Kosova ka qenë gjithëherë konstruktive dhe e përkushtuar në Bruksel.

Sipas Kurtit, Beogradi po punon kundërmarrëveshjeve dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Pra, nuk duan që t’i vënë sanksione Moskës, andaj edhe nuk e konstituojnë kuvendin, nuk e formojnë qeverinë dhe kërkojnë që takimet e parapara në Bruksel me mua të spostohen në kohë. Me këtë rast unë do të theksoj që Kosova ka qenë përherë me çdo zyrtar të saj, gjatë procesit të Brukselit, konstruktive, kreative dhe e përkushtuar. Sekretari Blinken kërkoi që ne edhe më tej të jemi të tillë, ne do të vazhdojmë të jemi të tillë, por është Beogradi ai i cili po punon kundër marrëveshjeve dhe kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërkohë që ne jemi konstruktivë dhe këtë Brukseli tashmë e ka regjistruar. Pra, në vend se të ndodhë takimi me 19 korrik, tash shpresohet që mbase mund të mbahet në fund të gushtit”, tha kryeministri.

Go to TOP