Haradinaj ia parashtron disa pyetje Kurtit për rrymën, ky i thotë ‘mos i lexoni veç titujt e lajmeve’
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka parashtruar disa pyetje për kryeministrin Albin Kurti, rreth energjisë elektrike.
Në seancën e sotme të kuvendit, Haradinaj pyeti tutje Kurtin se çfarë strategjie ka qeveria në rast se Kosova shkon në një kolaps energjetik.
“Jemi në krizë të rëndë energjetike edhe pse kjo nuk vërehet në muajt e verës. Kosova është e dëmtuar edhe nga heqja dorë e gazsjellësit amerikan. Cila është situata elektro-energjetike në vend? Në çfarë gjendje janë kapacitetet prodhuese? A keni strategji për kalimin e një krize të mundshme energjetike? Cili është rreziku që Kosova të arrijë në kolaps energjetik? A keni menduar me lidhë marrëveshje për bashkëpunim me Shqipërinë për kalimin e krizës? A keni plan për krijimin e rezervave për ngrohje?”, pyeti kreu i AAK-së, kryeministrin.
Kurti iu përgjigj Haradinajt, duke i thënë të mos bazohet vetëm në tituj të lajmeve, por t’i lexojë ato deri në fund.
“Kosova nuk do të jetë e varur e nuk do të jetë e varur në prodhimin e energjisë elektrike, mos u bazoni vetëm në tituj të lajmeve, por lexoni ato deri në fund. Gazsjellësi edhe nëse do të ishte marr nuk do të ishte në funksion në këtë krizë energjetike. Njëri bllok i Kosovës B është në remont të rregullt dhe pritet të përfundojë gjatë këtij muaji, ndërkaq blloku tjetër i Kosovës B do të hyjë në remont nga gushti dhe do të zgjasë rreth 25 ditë. Ndihma më e madhe do të koncentrohet te rastet e skemës sociale dhe në rastet në nevojë që nuk janë në skema sociale. Strategjia kombëtare e energjisë përfshin kapacitete të reja të energjisë. Gjatë mbledhjes së përbashkët me Shqipërinë është shkruar marrëveshje bashkëpunimi për investime të përbashkëta në kapacitete të reja gjeneruese. Me strategjinë do të kujdesemi që ta rifreskojmë njëjtë siç u bëmë të parët në Ballkan me investim në bateri”, tha Kurti.
