Policia ndalon mbi 60 refugjatë, tentuan të futen ilegalisht në Kosovë
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndaluar mbi 60 refugjatë që tentuan të futen ilegalisht në Kosovë.
Në një komunikatë për medie, bëhet e ditur se aksioni është kryer në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë.
“Sot me datë 19.06.2022, rreth orës 16:50, Policia Kufitare (DRPK), konkretisht Stacioni policor për mbikëqyrje kufitare- SPMK Vermicë, ka pranuar informatën se në vijën e gjelbër të pjesës së Republikës së Shqipërisë, në drejtim të Kosovës, janë vërejtur disa dhjetëra refugjatë”.
“Me të pranuar informacionin menjëherë në bashkëpunim dhe bashkëveprim me Policinë homologe shqiptare është hartuar një plan taktik për parandalimin e tyre që mos të lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës”, njofton Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës thotë se patrullat homologe të Policisë së Shqipërisë, deri më tani kanë ndaluar 67 shtetas të huaj (refugjat) ilegal dhe janë duke u marrë me trajtimin e tyre. /Kosova.info/
