U kritikua se e la mbrapa gjatë pritjes kryediplomaten gjermane, deklarohet Gërvalla
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz është deklaruar pas një sërë kritikash që ajo mori ditët e fundit pasi pritja që ajo ia bëri kryediplomates gjermane në Kosovë, u cilësua skandaloze.
Ajo la mbrapa dhe anash në tepihun e kuq, ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ndërsa nëpërmjet një postimi në Facebook ajo ka thënë se koalicioni qeverisës qëndron unik dhe stabil.
Gërvalla-Schwarz thotë se qeveria po punon në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, ndërsa thotë se masat e suksesshme të qeverisë kanë shkaktuar panik.
Kryediplomatja kosovare ka thënë se të tjerët po shpikin, po shajnë, fyejnë e gënjejtë për të.
Ky është postimi i saj:
Përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, asnjë herë më parë, që nga pavarësia e këndej, nuk kanë qenë kaq unik dhe nuk i kanë bashkërenduar kaq mirë veprimet dhe vendimet e tyre në të mirë të forcimit të shtetit dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve të Republikës.
Masat e menjëhershme dhe të suksseshme të qeverisë për të mos lejuar rritjen artificiale dhe të shfrenuar të çmimeve, krijimin e panikut dhe zhvatjen e skajshme të qytetarit, tek ata që duan ta zhbëjnë 14 shkurtin 2021, natyrisht që krijojnë shqetësim dhe ngjallin fantazi dhe epshe të pakontrolluara. Shpikin, shajnë, fyejnë, gënjejnë.
Ndërsa ne, thjesht vazhdojmë punën.
