Çfarë tha Putin kur dha urdhrin për dërgimin e forcave ruse në Donetsk dhe Luhansk

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar mbrëmjen e së hënës që trupat ruse që të dërgohen në rajonet e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës, pas njohjes së dy rajoneve si republika të pavarura, nga Rusia.

Në dekretin e nënshkruar nga Putin është thënë se vendimi duhet të zbatohet menjëherë dhe se ushtria ruse do të hyjë në Donetsk dhe në Luhansk si “mision paqeruajtës”.

Ndërkohë që Putin po i drejtohej popullit, mediat ndërkombëtare kanë cituar zyrtarë qeveritarë të Ukrainës të kenë thënë se në lindje të Ukrainës, janë rritur të shtënat me armë të rënda nga separatistët.

Putin ka vazhduar propagandën, duke thënë se Ukraina po synon të ketë armë bërthamore, se gjuha ruse është margjinalizuar në Ukrainë dhe se ka plane për të eliminuar Kishën Ortodokse Ruse atje.

Ai ka thënë se Ukraina është një kukull e udhëhequr nga fuqitë e huaja dhe e mbushur me klane të oligarkëve.

Presidenti rus po ashtu ka thënë se NATO ka injoruar plotësisht kërkesat e Moskës për siguri, në të cilat është përfshirë edhe ajo që Ukraina të mos bëhet pjesë e aleancës dhe për heqjen e armëve të NATO’s dhe pajisjeve tjera nga shtetet e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore.

Ai e ka përfunduar fjalimin e tij duke thënë se “jam i sigurt se do të kem mbështetjen e popullit rus”.

Tashmë kanë nisur raportimet se ka filluar futja e trupave ruse në dy rajonet, që disa orë më parë edhe zyrtarisht Kremlini i njohu si shtete të pavarura.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se do të merren hapa konkret pas këtij vendimi të Kremlinit.

“Njohja nga Kremlini e të ashtuquajturave “Republikat Popullore të Donetsk dhe Luhansk” si të “pavarura” kërkon përgjigje të shpejtë dhe të vendosur, dhe ne do të ndërmarrim hapat adekuatë në koordinim më partnerët tanë”, tha ai nëpërmjet Twitter.

Go to TOP