Qytetarët po telefonohen dhe po ftohen ta votojnë Përparim Ramën, LDK nuk e konfirmon nëse janë nga shtabi i tyre
Qytetarët e Prishtinës janë duke u telefonuar pak ditë para zgjedhjeve nga një grup që po prezantohen se janë nga shtabi zgjedhor i kandidatit të LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama
Përmes këtyre thirrjeve po bëhet ftesë që të dalin në zgjedhje këtë të diele dhe ta votojnë kandidatin e tyre për Prishtinën, Përparim Rama.
Disa qytetarë kanë raportuar se kanë pasur një thirrje nga shtabi i kandidatit të LDK-së, Përparim Rama.
Numri i cili ka telefonuar këta qytetarë, është telefonuar dhe të njëjtit i kanë thënë se janë duke i thirrur të gjithë qytetarët e Prishtinës.
Ndërsa të pyetur se ku i kanë marrë listat për t’i telefonuar, ata kanë thënë që i kanë marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Jemi prej shtabit të Përparim Ramës dhe deshëm të dimë nëse do të dilni të votoni të dielën, numrin e kemi marrë tek listat e KQZ-së, nuk e di kush nga KQZ na ka dhënë këto lista”, tha një zë i një gruaje që nuk është prezantuar me emër.
LDK nuk e ka konfirmuar nëse këto thirre janë duke u bërë nga shtabi i tyre.
Në anën tjetër, Drejtori i Departamenti ligjor në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, Valon Kryeziu në një prononcim ka thënë se shpërndarja e numrave të telefonit paraqet shkelje të privatësisë, ndërsa thirrja për t’i pyetur qytetarët nëse do të votojnë nuk paraqet shkelje të privatësisë.
“Duhet të të njoftoj kush është dhe me pëlqimin e juaj ta vazhdoj bisedën, nuk është shkelje e privatësisë nëse të pyet nëse do të dalësh në votim, numrat e telefonit të votuesve nuk duhet t’i jepen partive politike, sepse partitë politike i kanë të anëtarëve të vet. Përndryshe KQZ-ja nuk besoj që i ka numrat e telefonit të votuesve”, tha ai.
Të dielën pritet të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve në Komunën e Prishtinës dhe në 20 komuna të tjera.
Në Prishtinë, në balotazh garojnë, Përparim Rama nga LDK dhe Arben Vitia nga LVV.
