Burgim përjetë infermieres, mbyti 3 pacientë me dezinfektues në infuzion

Gjykata e Distriktit në Yokohama të Japonisë të martë dënoi me burgim të përjetshëm një ish-infermiere për vrasjen e tre pacientëve duke u vendosur dezinfektues në infuzionet intravenoze në një spital në Yokohama në vitin 2016.

E dënuara është Ayumi Kuboki, 34 vjeçe, e cila gjatë procesit gjyqësor ka pranuar se i ka vrarë pacientët duke përzier një substancë antiseptike në qeset e infuzioneve në spitalin ku punonte. Prokurorët kishin kërkuar që ajo të dënohej me vdekje, shkruan The Japan Times”.

Gjykatësi Kazunori Karei tha se Kuboki mund të mbahet përgjegjëse për krimet siç është theksuar nga prokurorët gjatë gjykimit, duke shtuar: “Ajo ka kryer akte të tilla duke e ditur se ato ishin të paligjshme.”

Megjithatë, ai vlerësoi se dënimi me burgim të përjetshëm është i arsyeshëm, sepse qëndrimi i ish-infermieres gjatë gjykimit ka treguar se ajo është penduar.

Sipas vendimit të gjykatës, Kuboki qëllimisht ka vrarë tre pacientë, Sozo Nishikawa, Asae Okitsu dhe Nobuo Yamaki. Dy pacientë ishin në moshën 88-vjeçare dhe një tjetër në moshën 78-vjeçare.

Gjatë seancave dëgjimore, ish-infermierja e arrestuar në vitin 2018 kishte thënë: “Me qëllim që ta shmangja akuzën nga familjarët, nëse pacientët do të vdisnin gjatë orarit të punës, e bëra këtë ashtu që ata do të vdisnin kur unë nuk do të isha në detyrë.” Ajo gjithashtu u kërkoi falje familjarëve të pacientëve.

Go to TOP