Dhjetëra njerëz të vrarë nga sulmi në një xhami të Afganistanit
Së paku 32 persona u vranë dhe 53 u plagosën në një shpërthim që ndodhi të premten në një xhami shiite në qytetin Kandahar të Afganistanit.
“Tridhjetë e dy trupa dhe 53 njerëz të plagosur janë sjellë në spitalin tonë deri më tani”, tha një mjek në spitalin qendror të qytetit për agjencinë e lajmeve AFP.
Shpërthimi ndodhi gjatë faljes së Xhumasë, tha Bilal Karimi, zëdhënës i talibanëve.
Ai tha se sulmi ka shkaktuar viktima, por nuk dha detaje.
Përgjegjësinë nuk e ka marrë ende asnjë grup.
“Me trishtim kemi mësuar se një shpërthim ka ndodhur në një xhami të vëllazërisë shiite, në rrethin e parë të qytetit Kandahar, ku disa bashkatdhetarë tanë janë martirizuar dhe plagosur”, tha zëdhënësi i Ministrisë talibane të Punëve të Brendshme, Qari Sayed Khosti.
“Forcat speciale të Emiratit Islamik kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të hetuar natyrën e incidentit dhe për t’i sjellë autorët para drejtësisë”, tha Khosti.
Ditë më parë, grupi militant Shteti Islamik ka thënë se ka kryer një sulm në një xhami të qytetit Kunduz të Afganistanit, ku kanë mbetur të vrarë së paku 46 persona.
