“Respekt për Cristianon”, Townsend zbulon pse ai kopjoi festimin ‘Siiu’ të Ronaldos

Andros Townsend ka thënë se ai ka kopjuar festimin e Cristiano Ronaldos në shenjë respekti për sulmuesin e Manchester United, pasi goli i tij i dha Evertonit një barazim 1-1 në Old Trafford.

Mesfushori anësor anglez përfundoi me sukses një kundërsulm të shkëlqyeshëm në pjesën e dytë për të anuluar golin e parë të Anthony Martial para pushimit dhe për të siguruar që ndeshja e Ligës Premier të përfundojë baras.

30-vjeçari festoi duke përsëritur festimin legjendar të Ronaldos të njohur si “Siiuu” tek flamuri i rivënies këndore dhe ky u pa si provokim ndaj portugezit.

Por, tani anglezi ka pohuar se nuk ishte menduar të ishte asgjë tjetër përveç një respekt apo nderim për yllin e Djajve të Kuq.

“Jo imitim, është vetëm një shenjë respekti për një djalë që ndikoi në karrierën time”, ka thënë fillimisht Townsend.

“Kam kaluar shumë orë në fushën e stërvitjes dhe në dhomën e videove duke u përpjekur të analizoj goditjet e tij të lira dhe hapat e tij dhe mënyrën se si ai iu përkushtua futbollit”.

“Pra, nuk ishte një imitim, ishte një shenjë respekti për një nga idhujt e mi. Unë ndoshta nuk e kam bërë drejt festimin dhe nuk e kam ekzekutuar atë siç duhet”, përfundoi ylli i Evertonit. 

Go to TOP