Nunez drejt largimit nga Al Hilal, klubi amerikan përgatit ofertë
Sulmuesi uruguaian Darwin Nunez mund të largohet shumë shpejt nga Al Hilal, pasi aventura e tij në Arabinë Saudite nuk ka shkuar sipas pritjeve.
Ish-futbollisti i Liverpool iu bashkua klubit nga Riadi verën e kaluar për pesëdhjetë e tre milionë euro, por pas vetëm një sezoni e ardhmja e tij duket larg Al Hilalit.
Njëzet e shtatë vjeçari ka realizuar nëntë gola në sezonin e tij të parë, megjithatë situata e tij ishte vështirësuar në muajin shkurt, kur klubi kishte vendosur ta largojë nga lista e futbollistëve të regjistruar për kampionatin, pas transferimit të Karim Benzema. Ky vendim është marrë për shkak të kufizimeve që ekzistojnë në numrin e futbollistëve të huaj në skuadër.
Klubi amerikan Atlanta United po përgatit një ofertë për transferimin e Nunez dhe pritet ta paraqesë atë gjatë muajit të ardhshëm.
Megjithatë, Atlanta United duhet fillimisht të lirojë një vend në listën e futbollistëve të saj të caktuar, ndërsa pritet largimi i sulmuesit Emmanuel Latte Lath.
Darwin Nunez ka kontratë me Al Hilalin deri në vitin 2028 dhe klubi saudit do të kërkojë dëmshpërblim për kartonin e tij. Sidoqoftë, Al Hilal mund të detyrohet ta shesë për një shumë dukshëm më të ulët, duke pranuar rreth gjysmën e pesëdhjetë e tre milionë eurove që pagoi për ta transferuar nga Liverpool një vit më parë.
