Aksident me fatalitet në Vragoli, vetura godet për vdekje një këmbësor
Një person ka humbur jetën pasi është goditur nga një veturë në një aksident trafiku në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti, ka konfirmuar se
aksidenti ka ndodhur sot, më 24 korrik 2026, rreth orës 03:00 të
mëngjesit, në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë.
Si pasojë e aksidentit lëndime po ashtu kanë marrë i dyshuari- vozitësi i veturës si dhe një pasagjer.
“Sot me datën 24.07.2026 rreth orës 03:00 të mëngjesit në rrugën
nacionale Prishtinë–Pejë në fshatin Vragoli ka ndodhur një aksident
trafiku me fatalitet, ku një veturë me drejtues të dyshuarin mashkull
kosovar ka goditur një person (këmbësor) të gjinisë mashkullore. Në
vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante, përfshirë ato
mjekësore, të cilat kanë konfirmuar vdekjen e viktimës”, ka thënë
Mehmeti.
Ajo ka bërë të ditur se lidhur me rastin është njoftuar prokurori
kompetent, ndërsa hetimet po zhvillohen nga njësitë relevante policore.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.
