Të shtëna me armë në Prizren, një person plagoset

Një person ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën pasditen e së mërkurës në rrugën “Liman Shala” në Prizren.

Lajmin  e ka konfirmuar për RTKLive Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit.

Sipas Bytyqit, rasti është raportuar rreth orës 17:00, ndërsa njësitet policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes.

“Policia ka reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes. Nga informacionet e para është kuptuar se, pas një fjalosjeje ndërmjet një personi të dyshuar në njërën anë dhe tre personave të tjerë në anën tjetër, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit të palës tjetër. Si pasojë e të shtënave, një person ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit”, ka deklaruar ai.

I plagosuri është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Bytyqi ka bërë të ditur se të gjithë personat e përfshirë në incident janë identifikuar, teksa  përveç të plagosurit, personat e tjerë janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori i shtetit, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve dhe njësia e forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet dhe kanë mbledhur provat materiale”, shtoi ai.

Tutje ai tha se rasti është duke u hetuar në koordinim me Prokurorin e Shtetit, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe motiveve të incidentit.

Go to TOP