Beckham: Botërori mund të bëhet po aq i madh sa NBA në SHBA

Legjenda e futbollit anglez, David Beckham, beson se Kupa e Botës 2026 mund të shërbejë si një pikë kthese për zhvillimin e futbollit në Shtetet e Bashkuara, duke e afruar popullaritetin e këtij sporti me atë të NBA-së, NFL-së dhe bejsbollit.

I pranishëm në eventin Fanatics Fest në New York, ish-ylli i Manchester United dhe i Kombëtares së Anglisë vlerësoi nivelin e lartë të turneut dhe ndikimin që ai mund të ketë te brezat e rinj.

“Gjithmonë kam thënë se nuk ka asnjë arsye pse futbolli në Shtetet e Bashkuara të mos bëhet po aq i madh sa NBA, futbolli amerikan apo bejsbolli. Por për këtë nevojiten ngjarje si Kupa e Botës, që frymëzojnë një brez të ri lojtarësh dhe rrisin interesimin për këtë sport”, deklaroi Beckham.

Sipas tij, Botërori i këtij viti ka qenë një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar talente të reja dhe për t’i dhënë hapësirë kombëtareve që nuk kishin marrë pjesë më parë në turne.

“Çdo Botëror nxjerr në pah lojtarë të rinj që shumë njerëz nuk i njohin. Kjo është Kupa e Botës më e madhe e organizuar ndonjëherë dhe u ka dhënë mundësi edhe vendeve që nuk kishin marrë pjesë më parë. Mendoj për Kepin e Gjelbër, që emocionoi shumë tifozë me paraqitjet e tij.”

Beckham theksoi se histori të tilla frymëzojnë fëmijët në mbarë botën dhe i motivojnë ata të ëndërrojnë për një ditë kur do të përfaqësojnë vendin e tyre në skenën më të madhe të futbollit.

Duke folur për përvojën e tij personale, ish-kapiteni i Anglisë e cilësoi përfaqësimin e kombëtares si kulmin e karrierës së çdo futbollisti.

“Të shikosh një Kupë Bote është diçka e veçantë, por ta luash atë është edhe më e jashtëzakonshme. Nuk ka asgjë që krahasohet me përfaqësimin e vendit tënd, qoftë në një miqësore, Kampionat Evropian apo Kupë Bote.”

Beckham kujtoi edhe Botërorin e tij të parë me Anglinë, duke zbuluar se një nga momentet më të paharrueshme ishte goli i parë në këtë kompeticion, i shënuar ndaj Kolumbisë në ditëlindjen e nënës së tij.

“Botërori im i parë nuk nisi dhe nuk përfundoi siç doja, por ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Më vonë pata nderin të bëhesha kapiten i Anglisë dhe ta udhëhiqja vendin tim në Kupën e Botës. Janë kujtime që do t’i mbaj gjithmonë me krenari.”


Go to TOP