Ademi në finalen e Botërorit 2026, takime me drejtuesit e FIFA-s dhe përshëndetje me Donald Trump

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, po merr pjesë në aktivitetet e organizuara nga FIFA në prag të finales së Kupës së Botës 2026 ndërmjet Spanjës dhe Argjentinës, me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

Gjatë këtyre aktiviteteve, Ademi ka zhvilluar takime me personalitete të njohura të futbollit botëror dhe drejtues të federatave kombëtare. Në kuadër të ceremonisë së organizuar në Trump Tower, ai është përshëndetur edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Sipas FFK-së, pjesëmarrja e presidentit Ademi në këto ngjarje të rëndësishme pasqyron pozitën gjithnjë e më të konsoliduar të Federatës së Futbollit të Kosovës në familjen ndërkombëtare të futbollit.

Federata bën të ditur gjithashtu se FIFA ka publikuar fotografi të Agim Ademit në platformat e saj zyrtare duke e cilësuar këtë si një tregues të marrëdhënieve të mira dhe të vëmendjes që institucioni më i lartë i futbollit botëror i kushton futbollit të Kosovës.

Sipas FFK-së, ky vlerësim është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm me FIFA-n, angazhimit institucional dhe mbështetjes për zhvillimin e futbollit në Kosovë, përfshirë projektet zhvillimore, përparimin institucional dhe integrimin e mëtejshëm të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP