Messi kujton foton ikonike me Yamalin: Është e pabesueshme
Vetëm pak orë para finales së madhe të Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës, Lionel Messi ka rikujtuar fotografinë ikonike ku ai i bënte banjë një Lamine Yamal-i vetëm disa muajsh, në kuadër të një fushate të UNICEF-it.
Gjatë pjesëmarrjes në “Fanatics Fest”, festivali i organizuar në Nju Jork që mblodhi yje të sporteve nga e gjithë bota, kapiteni i Argjentinës u pyet nga legjenda e NFL-së, Tom Brady, për atë fotografi që vitet e fundit është bërë virale.
Messi e përshkroi momentin si të jashtëzakonshëm, duke theksuar se është e vështirë të besohet se foshnja me të cilën ishte fotografuar dikur, sot është një nga rivalët e tij në finalen e Kupës së Botës.
“Sinqerisht, ajo foto është e pabesueshme. U fotografova me të kur ishte vetëm një foshnjë, ndërsa sot do të përballemi në finalen e Kupës së Botës”, u shpreh Messi.
Fotografia e realizuar vite më parë është rikthyer në qendër të vëmendjes para finales, pasi simbolizon në mënyrë të veçantë kalimin e brezave në futboll, me Messin dhe Yamalin që tashmë do të përballen për trofeun më të madh në futbollin botëror.
