Arrestohet në Prizren një i dyshuar për krime kibernetike, bashkëpunim mes Kosovës dhe SHBA-së

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bashkërendim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka realizuar një operacion në rajonin e Prizrenit, ku është arrestuar një person i dyshuar për përfshirje në veprimtari të krimit kibernetik.

Sipas Policisë, aksioni është zhvilluar në bazë të urdhëresës së Gjykatës dhe në bashkëpunim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dyshohet se i arrestuari, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material, ka siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve amerikanë. Më pas, ai dyshohet se këto të dhëna i ka vënë në dispozicion për keqpërdorim duke i publikuar në platforma të caktuara online.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë. Policia bëri të ditur se gjatë kontrollit janë sekuestruar prova relevante që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.

Autoritetet kanë theksuar se veprimet e mëtejshme hetimore do të ndërmerren në koordinim të ngushtë me autoritetet e SHBA-së. /Kosova.info/

Go to TOP