“anGjelus Novus” i artistit Arianit Lakna si simbol i qëndresës dhe sfidave

Vepra që shpalosin përditshmërinë përmes vlerave që mishërojnë një utopi të ndërtuar nga artisti Arianit Lakna, vijnë përmes ekspozitës së tij personale “Angjelus Novus”, kuruar nga Artrit Bytyçi, që është hapur në Galerinë Open Art në Prishtinë.

Kjo ekspozitë ofron një mundësi për të eksploruar dialogun ndërmjet artit bashkëkohor dhe një prej veprave më të rëndësishme të artit modern, ku përmes figuracionit të stilizuar dhe kontrasteve të forta vizuale veprat përcjellin mesazhin e dinamikës dhe ritmit që shoqëron nisjen e një dite të re.

“Gjeli nuk është thjesht një simbol tradicional, por një metaforë e zgjimit, energjisë dhe ndërgjegjësimit, duke e risjell këtë simbol në një kontekst bashkëkohor, që lidhet me përditshmërinë, punën dhe sfidat e jetës moderne”, ka thënë Arianit Lakna. 

Në këtë ekspozitë, artisti Arianit Lakna ndërton veprat e tij rreth figurës së gjelit, duke krijuar një dialog konceptual me veprën e njohur “Angelus Novus” të Paul Klee dhe interpretimin filozofik të Walter Benjamin. Mirëpo “anGjeli i Ri” i Arianit Laknës shkon përtej dhe siç shprehet  kuratori i ekspozitës Artrit Bytyçi, “veprat e kësaj ekspozite shpalosin përditshmërinë përmes tre cikleve tematike: etike punëloje, përqafime dhe përditshmëri utopike”.

Figura e gjelit në veprat e Arianit Laknës shfaqet si simbol i qëndresës dhe angazhimit përballë sfidave të përditshme. Përmes kësaj metafore, artisti trajton përplasjen mes detyrimeve të jetës dhe veprimit individual, duke e vendosur punën në qendër të reflektimit artistik.

“Kur merr për referencë një vepër themeltare si Angjelus Novus të Paul Klee, mundesh t’i bësh një sfidë dhe ta kthesh në diçka aktuale. Ne kemi nevojë nga artistët e rinjë që të sjellin këtë lloj freskie”, ka dhënë vlerësim artisti dhe kuratori Elton Koritari nga Tirana. 

Drejtori i Galerisë “Open Art”, Naim Spahiu e ka vlerësuar Laknën si artist shumëdimensional.

“Edhe pse Arianit Lakna ka përfunduar studimet për skulpturë, ai prezantohet në këtë ekspozitë me pikturë, gjë që e bën artistin shumëdimensional”, ka thënë ai. 

Formimi artistik i Arianit Laknës lidhet me pikturën, pasi studimet i ka nisur në shkollën e mesme të artit në Gjilan dhe më pas i ka vijuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë për skulpturë. Kjo bazë akademike reflektohet në qartësinë kompozicionale dhe konceptin e strukturuar të veprave të ekspozuara.


Go to TOP