Pa dorëheqje kolektive nuk ka ringritje të LDK-së!

Shkruan: Florim ZEQA

Këtë shkrim po e filloj me një koment të ditëve të fundit të një lexuesi të shkrimeve të mia: “Z. Zeqa, çka ju keni vërsulur LDK-së? Pse nuk po e bëni edhe ndonjë shkrim për partitë e tjera, por vetëm për LDK-në, të cilën jeni duke e ç’montuar copë-copë? Do të doja që këto analiza shumë të sakta të mos i publikosh në Facebook dhe në këto portale që Zoti e di punën e kujt e bëjnë!”

Përgjigjja ime e përgjithësuar ndaj komentuesve është kjo: “Ndjehem i lumtur që, me saktësinë e analizave të mia, kam arritur të zgjoj ndërgjegjen e fjetur të njerëzve të ndershëm dhe atdhetarë që ia duan të mirën LDK-së dhe shtetit të Kosovës në veçanti. Menjëherë pas shkrimit autorial ‘Dorëheqja kolektive, shpëtim për LDK-në’, të datës 03.07.2026, janë shtuar zërat me kërkesën e njëjtë për dorëheqjen kolektive të drejtuesve të LDK-së.”

LDK-në copë-copë po e bëjnë profiterët e jo ata që e duan me shpirt

Aty ku dhëmb dhembi, shkon gjuha, e thotë një fjalë e urtë popullore! LDK është dashuria ime, është dhimbja ime e madhe!

Mes veprimtarëve të orëve të para dhe këtyre lakmitarëve që po e shqyejnë LDK-në është një dallim i madh. Aktivistët dhe veprimtarët e orëve të para e duan partinë pa interes dhe pa kushte, kurse këta lakmitarë, kusarë dhe matrapazë të ditëve të sotme po pasurohen, duke bërë njëqind marrëzi në emër të LDK-së dhe të Ibrahim Rugovës.

Kritikat dhe sugjerimet e mia nuk burojnë nga urrejtja dhe as nga ambicia për poste dhe privilegje, por nga dashuria e sinqertë për ta ringritur LDK-në aty ku e ka vendin, në partinë e parë politike në vend e jo në vendin e tretë, ku e katandisën interesxhinjtë dhe matrapazët politikë!

Është iluzive të presësh ringritje të partisë nga ata që e katandisën. Prandaj, kjo është arsyeja e logjikshme pse unë kërkoj dorëheqje kolektive të krerëve të LDK-së, përkatësisht të Kryesisë Qendrore dhe Këshillit të Përgjithshëm!

Njëzet vjet humbje dhe rrëshqitje, pa asnjë fitore në nivel qendror, janë pak më shumë se disfatë politike për LDK-në!

Janë këto 20 vjet humbje dhe degradim, katandisje dhe përçarje, kapje dhe uzurpim i partisë nga klanet dhe grupet e interesit, të cilat shkaktuan dëshpërim dhe zhgënjim të elektoratit, i cili u largua pandalshëm drejt formacioneve të tjera politike!

Kjo humbje e besimit të anëtarësisë është produkt i këtyre strukturave të partisë, e jo vetëm i kryetarit aktual, i cili, me naivitetin e tij, është më së paku fajtor për këtë katandisje të vlerave demokratike në LDK!

Kur e them këtë, e kam parasysh faktin se nënshkruesit për shkarkimin e kryetarit aktual janë shkatërruesit fatalë të LDK-së. Andaj, është i pamjaftueshëm vetëm largimi i kryetarit, pasi e keqja e madhe prapë mbetet në LDK!

Pa rikthimin e vendimmarrjes tek anëtarësia, ndryshimet në LDK janë utopike

Është e dhimbshme që LDK-ja, si partia më e vjetër në vend, që i hapi proceset demokratike në trojet etnike shqiptare, partia që i ndërtoi themelet e shtetit në rrethanat e okupimit klasik të Serbisë, partia që ndërtoi institucionet e Republikës së Kosovës, të katandiset kaq poshtë, saqë të kënaqet me vendin e tretë në skenën parlamentare!

Përveç humbjes së zgjedhjeve, LDK e ka humbur edhe shpresën për ringritje, shkaku i tjetërsimit të vlerave demokratike!

Nga “Lidhja” në “Rruga e Re” ndodhi tjetërsimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, avangardës së proceseve demokratike në Ballkanin Perëndimor.

LDK e ka vetëm një rrugë që të shpëtojë nga katandisja e mëtutjeshme.

Ajo është rikthimi në bazën elektorale, me organizimin e zgjedhjeve të brendshme, të ndershme dhe demokratike, që e kthejnë në identitetin e saj tradicional të zhvillimit të demokracisë nga poshtë-lart e jo anasjelltas, me diktat autoritar nga lart!

Mirëpo, paraprakisht duhet të ndodhë dorëheqja kolektive e strukturave drejtuese, të cilat janë përgjegjëse për katandisjen e partisë.

Ndryshe, me këto struktura asnjëherë nuk do të kemi reforma të mirëfillta dhe unifikim të elektoratit rugovian në LDK!

Me delegatë servilë të zgjedhur në vitin e largët 2010, Kuvendi Zgjedhor është manipuluar në vijimësi nga drejtuesit e partisë, duke inskenuar “kuvende zgjedhore” me aklamacion apo edhe me votë të fshehtë, duke i dirigjuar me “telekomandë” delegatët servilë dhe të dëgjueshëm që të votojnë sipas rekomandimeve të kryetarit!

Prandaj, pa rikthimin e vendimmarrjes tek anëtarësia përmes votës së lirë dhe demokratike, ndryshimet në LDK janë utopike!

Pa largimin e uzurpatorëve dhe pa zgjedhje mbi bazën e meritokracisë, LDK, përveç humbjes së vendit të tretë, do të rrëshqasë akoma më poshtë në renditjen tabelare!

Megjithatë, edhe vendi i katërt, përkatësisht kalimi i pragut zgjedhor, do të jetë i mjaftueshëm për mbijetesën e klanorëve dhe grupeve të interesit në LDK, por jo edhe bazament për ngritjen e saj.

Se sa të vendosur janë pengmbajtësit e LDK-së, lexojeni DEKLARATËN E KRYESISË QENDRORE TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS (hape linkun).

Ngritja e LDK-së do të jetë graduale; fillimisht duhet të ngjitet në vendin e dytë, pastaj në vendin e parë, ashtu siç e kam projektuar në fillim të këtij viti. Edhe një herë, zotohem para elektoratit për afatet kohore të ngritjes së LDK-së!

Zotimi im është përgjegjësi morale para elektoratit dhe para Zotit!


Go to TOP