Rihapet Galeria Kombëtare e Kosovës, Kurti: Kultura nuk është luks, por domosdoshmëri

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në rihapjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Në fjalën hyrëse, kryeministri në detyrë Kurti tha se rihapja e këtij institucioni qendror të artit, është dëshmi e një bindjeje të qartë se kultura nuk mund të zhvillohet pa infrastrukturë të denjë, sikurse që arti nuk mund të ruhet, prezantohet dhe zhvillohet pa hapësira të përshtatshme për krijim, ekspozim dhe konservim.

“Ky investim në vlerë prej më shumë se 1.6 milion euro është provë se ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës së skenës kulturore nuk është luks, por domosdoshmëri. Projekte të këtilla kërkojnë kohë, planifikim dhe përkushtim, prandaj shpesh rruga deri te realizimi i tyre mund të duket e gjatë”, tha ai.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti theksoi se objektet kulturore nuk ndërtohen vetëm për nevojat e sotme, por ndërtohen për brezat që vijnë, për artistët e së nesërmes, për ruajtjen e kujtesës sonë kolektive dhe për një shoqëri që e sheh kulturën si pjesë të zhvillimit të saj. Prandaj, theksoi ai, çdo investim kapital në infrastrukturën kulturore është një investim afatgjatë në identitetin, edukimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.

“Investimi në Galerinë Kombëtare nuk është thjesht investim në një ndërtesë, është investim në kujtesën tonë kolektive, në artistët tanë dhe në brezat që do të vijnë pas nesh”, u shpreh ai.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:

E nderuara ushtruese e detyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu,

E nderuara znj. Atifete Jahjaga, ish-Presidente,

E nderuara znj. Justina Shiroka- Pula, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,

E nderuara Ministre e Kulturës dhe Turizmit, znj. Saranda Bogujevci,

E nderuara ushtruese e detyrës drejtore e Galerisë Kombëtare të Kosovë s, znj. Alisa Gojani Berisha,

E nderuara Hana Halili, kuratore e ekspozitës,

I nderuari z. Hajrulla Çeku, ministër i Arsimit dhe Shkencës, ka nisë  aq punë  të  mira, saqë të  gjitha frytet do t’i korrë Saranda tash,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të shteteve mike në Republikën e Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve kulturore,

Të nderuar artistë dhe artdashës,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Sot jemi mbledhur për të shënuar një moment të rëndësishëm për kulturën e Republikës së Kosovës: rihapjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës, institucionit qendror të artit pamor në vendin tonë.

Kjo rihapje është përfundim i një procesi të renovimit. Është dëshmi e një bindjeje të qartë se kultura nuk mund të zhvillohet pa infrastrukturë të denjë, sikurse që arti nuk mund të ruhet, prezantohet dhe zhvillohet pa hapësira të përshtatshme për krijim, ekspozim dhe konservim.

Ky investim në vlerë prej më shumë se 1.6 milion euro është provë se ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës së skenës kulturore nuk është luks, por domosdoshmëri. Projekte të këtilla kërkojnë kohë, planifikim dhe përkushtim, prandaj shpesh rruga deri te realizimi i tyre mund të duket e gjatë. Megjithëkëtë, koha e investuar në krijimin e hapësirave të qëndrueshme për kulturën është kohë e investuar në të ardhmen e vendit. Mund të thuhet pra që nuk kemi humbur kohë, por kemi fituar hapësirë për kohë të gjatë.

Objektet kulturore nuk ndërtohen vetëm për nevojat e sotme. Ato ndërtohen për brezat që vijnë, për artistët e së nesërmes, për ruajtjen e kujtesës sonë kolektive dhe për një shoqëri që e sheh kulturën si pjesë të zhvillimit të saj. Prandaj, çdo investim kapital në infrastrukturën kulturore është një investim afatgjatë në identitetin, edukimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.

Për shumë vite, institucionet tona kulturore kanë bartur barrën e mungesës së investimeve të nevojshme në objekte, depo, sisteme teknike dhe kushte profesionale të ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore. Prandaj, edhe investimi në Galerinë Kombëtare nuk është thjesht investim në një ndërtesë, është investim në kujtesën tonë kolektive, në artistët tanë dhe në brezat që do të vijnë pas nesh.

Projekti i renovimit ka përfshirë përmirësimin e tërësishëm të infrastrukturës së Galerisë, duke krijuar kushte bashkëkohore për ekspozim, ruajtje dhe menaxhim të koleksionit. Një komponent i rëndësishëm i këtij transformimi është edhe shtimi i rreth 400m² hapësirë të re depozituese, e ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare për konservimin dhe preservimin e veprave të artit, duke forcuar kapacitetet institucionale për ruajtjen dhe pasurimin e Koleksionit tonë Shtetëror.

Përmes investimeve kapitale në kulturë, ne po ndërtojmë kushte më të mira së bashku për punën e profesionistëve të fushës, po krijojmë hapësira më të sigurta për koleksionet shtetërore dhe po i japim mundësinë publikut tonë të ketë qasje në institucione bashkëkohore, që  janë edhe të hapura edhe funksionale.

Kultura nuk është luks. Ajo është pjesë e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe demokratik të vendit. Një shtet i cili investon në kulturë investon në dijen, në kreativitetin dhe në  identitetin e vet.

Prandaj, edhe përkushtimi ynë për forcimin e infrastrukturës kulturore do të vazhdojë. Galeria Kombëtare është një shembull i këtij vizioni. Ajo sot rikthehet me kushte më të mira, me kapacitete të zgjeruara dhe me mundësi më të mëdha për të ruajtur, studiuar dhe prezantuar artin e Kosovës. 

Dua të falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, ekipin e Galerisë Kombëtare, profesionistët, inxhinierët, punëtorët dhe të gjithë ata të cilët kontribuuan në realizimin e këtij projekti. Ky është rezultat i punës së përbashkët të heshtur, të vendosur dhe i besimit se institucionet publike mund të ndërtohen me standarde të larta.

Uroj që kjo galeri e rinovuar të jetë një hapësirë e gjallë e dialogut, e pasionit dhe e gëzimit e reflektimit dhe e krijimtarisë; në një vend, pra, ku arti takohet me publikun dhe ku kultura vazhdon t’i ndërtojë urat më të forta midis njerëzve. E ashtu qysh kemi thënë  ngahera me ish-ministrin e Kulturës, tash ministri i Arsimit, përpjekja jonë më e madhe është që ta bëjmë sa më shumë kulturë artistike dhe njëkohësisht ta bëjmë sa më shumë artin kulturë. Andaj, ky është vendi i duhur për ta bërë urimin kryesor, atë të rihapjes së Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe për t’ju dëshiruar të gjithë artistëve dhe dashamirëve të artit suksese gjithnjë më të mira e më të mëdha në këtë kapitull të ri, të cilin po e fillojmë sonte.

Ju faleminderit! /Kosova.info/


Go to TOP