Hapet gara për festivalin `Akordet e Kosovës 2026`

Radiotelevizioni i Kosovës ka hapur zyrtarisht garën për këngët pjesëmarrëse në festivalin “Akordet e Kosovës 2026”, një ngjarje e rëndësishme muzikore që synon promovimin e krijimtarisë dhe vlerave më të mira të muzikës shqiptare.

Festivali do të organizohet në tri mbrëmje: Mbrëmjet e Muzikës Moderne dhe Mbrëmja e Muzikës për Fëmijë, duke sjellë në skenë artistë të afirmuar, talente të reja dhe krijues nga të gjitha trevat shqiptare.

Për Mbrëmjen e Muzikës Moderne, ftohen të aplikojnë këngëtarë, kompozitorë dhe tekstshkrues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare, me vepra të reja muzikore që pasqyrojnë zhvillimet bashkëkohore të muzikës shqiptare.

Ndërkaq, Mbrëmja e Muzikës për Fëmijë synon promovimin e talenteve të reja dhe të krijimtarisë muzikore për fëmijë. Të drejtë pjesëmarrjeje kanë fëmijët e moshës 9 deri në 14 vjeç, ndërsa në garë mund të përfshihen edhe kompozitorë e tekstshkrues nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.

Aplikimi për të dy kategoritë bëhet përmes ueb-faqes zyrtare të RTK-së, duke plotësuar formularin përkatës dhe duke ngarkuar veprën muzikore. Afati i fundit për aplikim është 31 gusht 2026, në orën 23:59.

“Akordet e Kosovës” synon të jetë një platformë e rëndësishme për promovimin e muzikës shqipe, krijuesve dhe interpreteve të rinj, duke bashkuar në një festival të vetëm traditën, talentin dhe frymën bashkëkohore të muzikës shqiptare.  

Apliko në Akordet e Kosovës

Apliko në Akordet e Kosovës për Fëmijë


Go to TOP