Trump e pranon se foli me Infantino për kartonin e kuq të Balogun
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka konfirmuar se ka kërkuar nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, që të rishikohet vendimi për kartonin e kuq të dhënë ndaj sulmuesit të SHBA-së Folarin Balogun.
Trump ka thënë para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai kishte kërkuar vetëm një rishikim të rastit, jo ndryshimin e vendimit. Sipas tij, nuk bëhej fjalë për faull serioz, por për një përplasje normale mes dy lojtarëve që vraponin me shpejtësi të lartë.
Gjithashtu ai ka shtuar se fillimisht nuk e kishte ditur që kartoni i kuq nënkuptonte pezullim për ndeshjen e radhës, duke e quajtur këtë rregull shumë të padrejtë.
Balogun ishte parashikuar të mungonte në ndeshjen e fazës së 1/8 së finales ndaj Belgjikës pas kartonit të kuq të marrë në një ndeshje të mëparshme kundër Bosnjës, pas rishikimit me VAR.
Megjithatë, sipas raportimeve, FIFA ka vendosur më vonë të pezullojë dënimin e tij, duke i lejuar lojtarit të marrë pjesë në ndeshje. Ky vendim është marrë nga komiteti disiplinor i FIFA-s, pas kërkesës personale të Trumpit drejtuar kreut të organizatës.
Vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra nga Federata e Futbollit të Belgjikës, e cila ka thënë se është e habitur dhe se kjo bie ndesh me rregullat e FIFA-s. Sipas federatës belge, nuk ka ende një vendim zyrtar të plotë dhe se një gjë e tillë është shqetësuese për transparencën dhe “fair-play”.
Balogun ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të SHBA-së në turne, me tri gola të shënuar deri tani, dhe mungesa e tij do të ishte një humbje e madhe për ekipin në ndeshjen ndaj Belgjikës.
