Politikani serb Radomir Dimiç dënon grafitet antishqiptare në Kragujevc

Kryetari i Lëvizjes Kosova Multietnike, Radomir Dimiç, ka reaguar ashpër ndaj, siç thotë ai, shfaqjeve të urrejtjes antishqiptare në Serbi, pas vendosjes së posterave me përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve në një furrë në qytetin e Kragujevcit.

Dimiç ka dënuar vendosjen e posterave me mbishkrimet “Mos e harro Gazimestanin” dhe “Mos blej nga shqiptari” duke e cilësuar këtë si akt të hapur diskriminimi dhe nxitjeje të urrejtjes ndëretnike.

“E dënoj ashpër vendosjen e këtyre posterave në furrën e një pronari shqiptar në Kragujevc. Ky është një akt i papranueshëm dhe duhet të trajtohet nga institucionet e drejtësisë,” ka deklaruar ai.

Sipas tij, autorët e këtij akti duhet të identifikohen dhe të përballen me ligjin për nxitje të urrejtjes dhe tensionim të marrëdhënieve ndëretnike. Ai theksoi se raste të tilla nuk janë të izoluara dhe kërkoi reagim institucional më të fortë.

Dimiç gjithashtu u bëri thirrje studentëve dhe përfaqësuesve të tyre që të distancohen publikisht nga këto akte dhe të shprehin solidaritet me pronarin shqiptar të furrës. /Kosova.info/


Go to TOP