Prof. Isak Ahmeti 60 vite krijimtari letrare: Një jetë e kushtuar altarit të letërsisë shqipe

Shkruan: Dr. Sarë GJERGJI

Në këtë ditë të veçantë, kur festojmë 60 vjet krijimtari letrare të Prof. Isak Ahmetit, ndihemi të privilegjuar të nderojmë një nga figurat më të ndritura të letërsisë, studimeve albanologjike dhe intelektualizmit shqiptar. Prof. Isak Ahmeti nuk është thjesht një poet, përkthyes apo studiues – ai është një altar i gjallë i letërsisë shqipe, një urë e pathyeshme midis traditës dhe modernitetit, midis besimit dhe arsyes, midis Kosovës dhe Europës.
Lindur më 25 mars 1946 në Stubëll të Epërme, Komuna e Vitisë, Isak Ahmeti nisi udhëtimin e tij krijues në vitin 1966 si student i filozofisë-teologjisë. Poezia e tij e parë u botua në revistën prestigjioze Hrvatski Književni List në Zagreb. Gjatë viteve të 70-ta, ai vazhdoi me intensitet të rrallë me poezi origjinale, përkthime letrare nga italishtja dhe gjermanishtja, si dhe me artikuj studimorë të thellë në fushën e letërsisë, filozofisë dhe kulturës shqiptare.
Veprat e tij poetike si Gallatea (1972), Uratë Zbulimi (1976), Kushtime Bese (1983) dhe Dritë e Përjetësuar (2019), bashkë me studimet monumentale Kleri Katolik Shqiptar dhe Letërsia, Bibla në Letërsinë Shqiptare, Kur’ani në Letërsinë Shqiptare dhe Letërsia Kishtare dhe Filozofia e saj, përbëjnë një kontribut të pakrahasueshëm në trashëgiminë kulturore shqiptare. Si studiues i dalluar i jetës dhe veprës së Ndre Mjedës, ai u nderua me Çmimin prestigjioz “Ndre Mjeda” nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë (2013), me motivacionin: “Studiues i letërsisë shqipe, i dalluar për kërkimet shkencore rreth jetës dhe veprës së Ndre Mjedës”.
Një arritje e veçantë është fakti që veprat e tij letrare-studimore tashmë kanë hyrë si literaturë e obligueshme në programet mësimore të Universitetit të Prishtinës, duke edukuar breza të tëra me thellësinë e mendimit shqiptar. Prof. Ahmeti është përfaqësuar në antologji kombëtare e ndërkombëtare, me përkthime në disa gjuhë, dhe ka qenë objekt i studimeve e monografive të dedikuara.
Por Prof. Isak Ahmeti nuk mbetet vetëm në fushën letrare. Ai ka qenë një intelektual angazhuar shoqërorisht e politikisht. Si Kryetar i Komunës së Vitisë (1988-1989) dhe delegat i Kosovës në Kuvendin e Serbisë, ai iu kundërvu me guxim politikës serbomadhe, frymëzoi demonstratat dinjitoze të viteve 1988-1989 dhe pagoi çmimin e persekutimit. Si profesor në Gjimnazin e Vitisë për dekada, ai edukoi breza me urtësi e dashuri për gjuhën e kulturën tonë. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës që nga viti 1972, ai mbetet një model i intelektualit modern me kulturë kombëtare dhe evropiane.
Në këtë jubile të artë, Prof. Isak Ahmeti shpreh lumturinë dhe qetësinë e tij të thellë me arritjet e veta. Dhe ne, bashkë me të, ndihemi krenarë. Ai është dëshmi e gjallë se fjala shqipe, kur lind nga zemra dhe mendja e një intelektuali të vërtetë, bëhet e pavdekshme.
Urime të sinqerta për këtë 60-vjetor krijimtarie! Qofshin sa më të shumta vitet e reja të frytshme në shërbim të letërsisë dhe kulturës shqiptare.


Go to TOP