Nimani: Djegia e flamurit të Izraelit dhe përfshirja e figurave kontroverse dëmtojnë vlerat euro-atlantike të shqiptarëve

Profesori universitar dhe analisti politik Artan Nimani ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit protestuese në Shqipëri duke theksuar se ato meritojnë një reflektim më të gjerë shoqëror dhe politik, përtej debateve të zakonshme të ditës.

Sipas Nimanit, vëmendjen nuk e tërheq vetëm natyra e protestave, por edhe prania e disa figurave nga Kosova, ndër to Igballe Huduti, e cila është bërë e njohur në opinionin publik për deklaratat e saj kontroverse dhe qëndrimet që nga një pjesë e publikut perceptohen si të afërta me narrativat pro-iraniane.

Ai ka kujtuar se në debatet publike është përmendur edhe fakti se Huduti është fotografuar pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejad, gjë që sipas tij ka ndikuar në krijimin e këtyre perceptimeve. Për Nimanin, ekspozimi i figurave të tilla në protesta ngre pyetje legjitime mbi mesazhet dhe simbolikat që përcillen në hapësirën publike.

Analisti ka kritikuar gjithashtu pamjet e djegies së flamurit të Izraelit duke vlerësuar se veprime të tilla bien ndesh me traditën historike dhe identitetin politik të shqiptarëve.

“Marrëdhënia e shqiptarëve me popullin hebre është ndërtuar mbi vlera të solidaritetit, humanizmit dhe respektit të ndërsjellë duke u shndërruar në një nga kapitujt më të nderuar të historisë sonë kombëtare”, ka theksuar ai.

Në analizën e tij, Nimani ka vënë në pah edhe kontrastin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ai ka nënvizuar se Kosova vazhdon të përballet me sfida ekonomike, sociale dhe me pengesa në proceset e integrimit ndërkombëtar, megjithatë niveli i mobilizimit protestues mbetet relativisht i ulët.

Sipas tij, kjo tregon se pakënaqësia ekonomike nuk është gjithmonë faktori kryesor që përcakton intensitetin e reagimit qytetar.

Në fund, Nimani ka bërë thirrje që protestat qytetare të ruajnë karakterin e tyre demokratik dhe të mos shndërrohen në platforma për promovimin e narrativave ideologjike, ndikimeve të huaja apo simbolikave që, sipas tij, nuk përkojnë me orientimin euro-atlantik dhe traditën historike të shqiptarëve.

“Sfida jonë e përbashkët mbetet ruajtja e kulturës demokratike, e maturisë politike dhe e vlerave që kanë përcaktuar identitetin modern të kombit shqiptar”, ka përfunduar Nimani.

Go to TOP