Sadiku: Disa po arsyetojnë edhe vdekjet në rrugë vetëm për ta mbrojtur qeverinë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka reaguar pas komenteve që, sipas tij, ka marrë lidhur me kritikat për mosmirëmbajtjen e rrugëve në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sadiku tha se pas publikimit të tij për gjendjen e rrugëve është përballur me sulme dhe komente nga llogari të rreme, si dhe nga persona që jetojnë jashtë Kosovës.

Sipas tij, këta komentues po e minimizojnë përgjegjësinë institucionale për sigurinë në rrugë, duke fajësuar ekskluzivisht shoferët për aksidentet.

“Ne postimin paraprak për mosmirëmbajtjen e rrugëve, po më shajnë kryesisht account-e false, si dhe Iliri nga Belgjika e Burimi nga Gjermania. Sipas tyre, rrugët në Kosovë janë në rregull; problemi qenkan shoferët që po vozisin keq”, ka shkruar Sadiku.

Ai ka shprehur shqetësimin se, sipas tij, mbrojtja e qeverisë po shkon deri në arsyetimin e rasteve tragjike në komunikacion.

“Kjo nuk është më normale. Ka kaluar në urrejtje patologjike. Këta e arsyetojnë edhe vdekjen veç ta mbrojnë një qeveri në shtetin e të cilës nuk jetojnë”, është shprehur deputeti i LDK-së. /Kosova.info/

Go to TOP