Hamiti: VV-ja e ka çuar Kosovën në regres, rikthimi i saj në opozitë është për të mirën e vendit
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti duke u bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të votojnë partitë tradicionale shqiptare, veçanërisht LDK-në.
Përmes një reagimi publik, Hamiti ka vlerësuar se një fitore e re e Vetëvendosjes do ta thellonte, sipas tij, regresin e Kosovës në planin institucional, diplomatik dhe ekonomik.
Ai ka akuzuar qeverisjen e VV-së për korrupsion të rëndë qeveritar duke iu referuar raporteve ndërkombëtare, ndërsa ka përmendur edhe pasojat e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat sipas tij kanë bllokuar projekte me vlerë qindra miliona euro.
Hamiti ka kritikuar gjithashtu marrëdhëniet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë duke pretenduar se gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes është pezulluar dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se janë bërë lëshime të dëmshme në dialogun me Serbinë.
Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe çështje që lidhen me zbatimin e projekteve infrastrukturore dhe me diskursin politik të përdorur nga përfaqësues të pushtetit duke argumentuar se qeverisja aktuale nuk ka përmbushur pritjet e qytetarëve.
“Shkurt e shqip, për ta bërë më mirë Kosovën mjafton një e rënë lapsi në fletëvotim për njërën nga partitë tradicionale shqiptare, pikësëpari për LDK-në”, ka deklaruar Hamiti.
Në fund, ai ka theksuar se rikthimi i Vetëvendosjes në opozitë do të ishte, sipas tij, në interes të Kosovës dhe zhvillimit të saj demokratik. /Kosova.info/
