Sensacion në ‘Roland Garros’: Swiatek eliminohet në 1/8 e finales
Turneu prestigjioz “Roland Garros 2026” ka regjistruar një nga surprizat më të mëdha të edicionit, pasi Iga Swiatek është eliminuar në fazën e 1/8 së finales nga ukrainasja Marta Kostyuk.
Tenistja polake, një prej favoriteve kryesore për titullin, u mposht në dy sete me rezultat 7-5, 6-1, pas një paraqitjeje mbresëlënëse të Kostyuk, e cila dominoi veçanërisht në setin e dytë.
Ky eliminim shënon fundin e një serie të gjatë suksesi për Swiatek në Paris. Që nga viti 2020, polakja kishte arritur të paktën deri në çerekfinale të turneut, ndërsa hera e fundit kur ishte larguar kaq herët nga Roland Garros datonte afro shtatë vjet më parë.
Pas triumfit të madh, Kostyuk nuk e fshehu emocionin për arritjen e saj historike.
“Jam ende nën shok. Të mundësh një teniste si Iga është një arritje e madhe. Nuk më besohet, ajo e ka fituar katër herë këtë turne”, deklaroi ukrainasja pas ndeshjes.
Aktualisht e renditur e 15-ta në botë, Kostyuk siguroi kualifikimin në çerekfinale pas 1 ore e 39 minutash lojë, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon në Grand Slam-in francez.
Eliminimi i Swiatek hap edhe më shumë garën për titullin në Paris, ndërsa Kostyuk vazhdon ëndrrën e saj në një nga turnetë më të rëndësishme të tenisit botëror.
