Spektakël pingpongu në Prishtinë – nis me intensitet WTT Feeder 2026

Ka nisur me ritëm të lartë dhe ndeshje cilësore edicioni i sivjetmë i WTT Feeder Prishtina 2026 duke sjellë emocione të shumta që në ditën e parë të garave në Pallati i Rinisë dhe Sportit.

Sportistë nga vende të ndryshme u përballën në tavolinë në kuadër të kategorive Women’s Singles dhe Men’s Singles, ku nuk munguan duelet e forta, rezultatet e ngushta dhe rivaliteti i lartë në çdo ndeshje.

Një nga momentet më të veçanta të ditës ishte fitorja e Andis Qekut, i cili triumfoi 3-2 ndaj çekut Jakub Kaucky duke siguruar një paraqitje solide dhe kalimin e një sfide të rëndësishme në fazën e grupeve.

Edhe në konkurrencën e femrave, përfaqësueset nga Kosova treguan nivel të kënaqshëm duke dhënë maksimumin në përballjet e tyre dhe duke dëshmuar progres në arenën ndërkombëtare.

Dita e parë u karakterizua nga organizim i mirë, intensitet i lartë dhe ndeshje që reflektojnë standardin ndërkombëtar të turneut.

Garat vazhdojnë edhe nesër me fazat e radhës, ku priten përballje edhe më të forta dhe emocione të reja për adhuruesit e pingpongut. /Kosova.info/


Go to TOP