Muharremi Kurtit: Mos u shit prralla në Zvicër, kthehu e jep llogari këtu

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, ku kishte theksuar mbështetjen ndaj mërgatës dhe e kishte cilësuar veten në anën e “patriotëve dhe çlirimtarëve”.

Muharremi ka vënë në pikëpyetje këtë qasje duke e akuzuar Kurtin për dështime në qeverisje dhe përkeqësim të gjendjes ekonomike në vend. Sipas tij, Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë, ndërsa qytetarët po detyrohen të emigrojnë drejt vendeve si Gjermania dhe Zvicra për të siguruar mbijetesën e familjeve të tyre.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për sektorin e energjisë duke theksuar se janë importuar rreth 1 miliard euro energji, pa u ndërtuar kapacitete të reja prodhuese. Po ashtu, Muharremi ka kritikuar rritjen e importeve, të cilat sipas tij kanë arritur deri në 7 miliardë euro, si pasojë e politikave të gabuara ekonomike.

Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe çështjen e ndotjes së ajrit duke kërkuar më shumë veprime konkrete për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, sidomos të fëmijëve që jetojnë në Kosovë.

Muharremi nuk ka lënë pa përmendur as akuzat për menaxhimin e tenderëve publikë dhe mungesën e transparencës institucionale duke pretenduar për procedura të dyshimta në institucione si KEK.

Ai gjithashtu ka ngritur shqetësimin për mungesën e projekteve të mëdha infrastrukturore të përfunduara gjatë mandatit qeverisës duke përmendur vonesat në rrugë dhe projekte energjetike, përfshirë parkun solar që, sipas tij, ka mbetur vetëm në letër.

Në fund, Muharremi i ka bërë thirrje kryeministrit që të përballet me qytetarët në Kosovë dhe të japë llogari për premtimet e pambajtura duke theksuar se, sipas tij, besimi i qytetarëve është në rënie. /Kosova.info/


Go to TOP